Nga Mike Eckel
Një ish-diplomat rus, i lidhur me një skandal shmangieje sanksionesh që përfshinte një nga ish-agjentët kryesorë të kundërzbulimit të FBI-së dhe një oligark të njohur rus, u dënua me dy muaj burg për akuzat e dhënies së deklaratave të rreme ndaj autoriteteve amerikane.
Dënimi i Sergei Shestakov mbyll një kapitull në një çështje që e vuri FBI-në në pozitë të vështirë dhe hodhi sërish dritë mbi Oleg Deripaskën, një miliarder i lidhur me Kremlinin, i cili prej kohësh ka qenë nën vëzhgimin e FBI-së.
Në dokumentet përfundimtare të paraqitura në gjykatë, prokurorët amerikanë argumentuan se Sergei Shestakov, 71 vjeç, i cili punonte si përkthyes i autorizuar në gjykatat federale pasi fitoi shtetësinë amerikane në vitin 2013, ishte i vetëdijshëm se ishte vepër penale të gënjeje agjentët e FBI-së që po hetonin Charles McGonigal.
Në kohën e daljes në pension në vitin 2018, McGonigal ishte një nga zyrtarët më të lartë në zyrën e FBI-së në Nju Jork, ku mbikëqyrte hetimet e kundërzbulimit për spiunët dhe oligarkët rusë, ndër të tjera.
Gjatë seancës më 16 tetor, gjykatësi i Gjykatës së Qarkut të SHBA-së, Jed Rakoff, urdhëroi që Shestakov të vuajë dy muaj burg, dy vjet lirim me kusht dhe të paguajë një gjobë prej 100 dollarësh — një dënim më i lehtë se kërkesa tashmë e butë që kishin paraqitur prokurorët. Dënimi i tij do të fillojë në shkurt.
Avokatja mbrojtëse e Shestakovit, Rita Glavin, kishte kërkuar që ai të dënohej me kohën tashmë të vuajtur, që do të thoshte se ai do të konsiderohej i dënuar vetëm për periudhën e shkurtër që kaloi në paraburgim federal në vitin 2023, përpara se të lirohej me kusht.
Glavin nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.
Një e-mail dërguar zyrës së prokurorisë federale të Manhatanit që po trajton çështjen mori një përgjigje automatike, në të cilën thuhej se operacionet e marrëdhënieve me publikun ishin pezulluar për shkak të mbylljes së qeverisë amerikane.
Në qendër të çështjes janë bisedat që Shestakov kishte me Yevgeny Fokin, gjithashtu ish-diplomat rus, të cilin ai e quante mik të vjetër prej dekadash.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Fokin, një drejtues i lartë në kompaninë kryesore të mbajtjes së Oleg Deripaskës, En+, ishte vënë nën vëzhgim nga FBI që nga korriku i vitit 2019, dhe pajisjet e tij elektronike u sekuestruan dhe u kontrolluan kur ai hyri në Shtetet e Bashkuara në gusht të vitit 2021.
Viza e tij amerikane u anulua vitin pasues me kërkesë të FBI-së, e cila tha se ai kishte lidhje me Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme të Rusisë.
Në dokumentet gjyqësore, prokurorët amerikanë kanë pretenduar gjithashtu se Fokin ishte një “bashkëkonspirator i papaditur” i Shestakovit dhe McGonigalit.
Deripaska, të cilit FBI-ja i kishte bllokuar vizën që në vitet 2000, u sanksionua nga Departamenti Amerikan i Thesarit në prill të vitit 2018 për lidhjet e tij me Kremlinin. Ai u akuzua penalisht në vitin 2022 për një plan të dyshuar për t’i mundësuar të dashurës së tij shtatzënë të lindte në Shtetet e Bashkuara, në mënyrë që fëmija të merrte shtetësinë amerikane.
Sipas dokumenteve gjyqësore, McGonigal ishte prezantuar me Fokin nga Shestakov. Më vonë, McGonigal nisi të hetonte një oligark tjetër rus, rival dhe konkurrent i Deripaskës, si dhe mori pagesa përmes një kompanie në Qipro.
Gjatë gjyqit, avokatët mbrojtës pretenduan se puna ishte bërë në emër të kompanisë En+, jo personalisht për Deripaskën, dhe u mbështetën në dëshminë e Fokinit. McGonigal kishte ndihmuar gjithashtu në sigurimin e një praktike pune për vajzën e Fokinit në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut.
Në një takim më 21 nëntor 2021 me agjentët e FBI-së, Shestakov e minimizoi marrëdhënien e tij dhe të McGonigalit me Fokinin. Agjentët më pas sekuestruan telefonin e tij celular.
Një javë më vonë, Shestakov u regjistrua si agjent i huaj nën Aktin për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA), duke deklaruar punën e tij për Fokinin dhe En+.
Në janar 2023, Shestakov u arrestua në shtëpinë e tij në Connecticut dhe u akuzua për pesë pika, përfshirë gënjeshtra rreth marrëdhënies së tij me Fokinin — si ndaj agjentëve të FBI-së ashtu edhe në formularin e regjistrimit sipas Aktit të Agjentëve të Huaj.
Në qershor të këtij viti, pasi Departamenti i Drejtësisë hoqi katër nga akuzat kundër tij, ai pranoi fajësinë.
Ndër ata që dërguan letra në gjykatë në mbështetje të Shestakovit ishte edhe Vladimir Gusinsky, një ish-oligark rus që kishte punësuar si Shestakovin ashtu edhe Fokinin për vite me radhë në kompaninë e tij mediatike, Media Most.
Gusinsky, i cili gjithashtu jetonte në Connecticut, ka qenë vetë nën vëzhgimin e FBI-së, e cila e ka pyetur për marrëdhëniet e tij me të dy burrat, si edhe me Deripaskën. Gusinsky nuk është akuzuar për ndonjë shkelje.
McGonigal u dënua me më shumë se dy vjet burg në dhjetor 2023 pasi pranoi fajësinë për akuzat e pastrimit të parave dhe shmangies së sanksioneve.
Në kërkesën e saj para dënimit, avokatja Glavin e paraqiti pjesërisht Shestakovin si një viktimë në këtë rast.
“Ndjenja e tij e frikës, dyshimi ndaj agjentëve dhe ndjenja e gabuar e besnikërisë e penguan atë të bënte gjënë e duhur dhe të ishte plotësisht i sinqertë,” shkroi ajo. “Ai do të mbetet përgjithmonë i lidhur me një agjent të korruptuar të FBI-së, Charles McGonigal, dhe do të jetojë nën hijen e dyshimit se ishte një spiun rus (nuk ishte) dhe një tradhtar.”
McGonigal ishte gjithashtu nën hetim për punën e tij me një biznesmen shqiptaro-amerikan të quajtur Agron Nezaj. Në shkurt 2024, McGonigal u dënua me më shumë se dy vjet burg për marrjen e një ryshfeti prej 225 mijë dollarësh./rel