Ballina Lifestyle I ishte sekuestruar pasuria e familjes në periudhën e nazizmit, valixhja e...

I ishte sekuestruar pasuria e familjes në periudhën e nazizmit, valixhja e fshehur prej dekadash i zbulon trashëgiminë marramendëse gjermanit me origjinë hebraike

53
0

Filloi me një valixhe të fshehur poshtë krevatit dhe përfundoi me zbulimin e trashëgimisë marramendëse të familjes së tij hebreje në kohën e Gjermanisë nazizte.

Gjatë kërkimit për trashëgiminë e tij, Antony zbuloi të dhëna për jetën e tij, një familje e shkatërruar nga Holokausti, një pasuri te zhdukur me vlerë miliarda paund dhe një trashëgimi veprash arti dhe pronash të vjedhura gjatë sundimit nazist.

Në vitin 2009, pas vdekjes së babait të tij, Antony gjeti një çantë të vogël lëkure në apartamentin e vjetër të babait të tij në qytetin Lymington të Hampshire. Brenda valixhes u gjetën kartëmonedha gjermane, albume fotografish, zarfe plot me shënime që regjistronin kapituj të ndryshëm të jetës së tij.

Në valixhe  u gjet dhe një certifikatë lindjeje e babit të tij Peter Roderick Easton, kishte lindur dhe ishte rritur në Gjermaninë e paraluftës si Peter Hans Rudolf Eisner, një anëtar i një prej familjeve më të pasura hebraike në Berlin.

Të dhënat që u gjetën zbuluan një familje të shkatërruar nga Holokausti, një pasuri të zhdukur me vlerë miliarda paund dhe një trashëgimi veprash arti dhe pronash të vjedhura gjatë sundimit nazist.

Fotografitë bardh e zi dhanë një pamje të jetës së hershme të Peterit, shumë larg rritjes modeste të të birit në Londër, ato tregonin një Mercedes me shofer personal, vila me shërbëtorë dhe shkallë të gdhendura me zbukurime.

Më keq akoma, një fotografi tregonte 12-vjeçarin Peter Eisner duke buzëqeshur me miqtë, ndërsa një flamur nazist valëvitej në distancë.

“Ndjeva se ishte një dorë që më shtrihej nga e kaluara”, thotë Antony.

Antony tha se babai i tij  ishte një burrë i qetë dhe serioz, megjithëse zemërohej ndonjëherë. Ai nuk fliste për fëmijërinë e tij dhe gjithmonë i mbyllte sytë para pyetjeve në lidhje me theksin e tij të lehtë gjerman.

Një pasuri e jashtëzakonshme u zbulua nga të dhënat në valixhe. Pas kërkimit duke u referuar tek të dhënat ne valixhe u hulumtua për një kompani të quajtur Hahn’sche Werke, nga ku përmes një fotografie të kërkuar ne internet u zbulua një foto e një pikture, që përshkruante brendësinë e një fabrike të madhe çeliku, me sa duket në pronësi të biznesit.

Piktura e vitit 1910, nga artisti Hans Baluschek, quhej Eisenwalzwerk (Fabrika e Rrotullimit të Hekurit). Ajo kishte qenë në pronësi dhe ka të ngjarë të ishte porositur nga Heinrich Eisner, i cili kishte ndihmuar në ndërtimin e biznesit të çelikut Hahn’sche Werke në një nga kompanitë të teknologjisë më ë lartë dhe më të përhapura në Evropën Qendrore. Dokumentet në valixhe tregonin se ky ishte stërgjyshi i Antonyt.

Më shumë kërkime zbuluan se, në fillim të shekullit të 20-të, Heinrich ishte një nga biznesmenët më të pasur në Gjermani, ekuivalenti i një multimiliarderi modern.

Kompania e tij prodhonte çelik, me fabrika të shpërndara në të gjithë Gjermaninë, Poloninë dhe Rusinë. Kur vdiq në vitin 1918, Heinrich i la aksione në kompaninë e tij dhe pasurinë e tij personale djalit të tij Rudolf, i cili ishte kthyer së fundmi nga luftimet në Luftën e Parë Botërore.

Lufta kishte qenë një katastrofë njerëzore, por Hahn’sche Werke kishte lulëzuar në atë periudhë, duke përmbushur kërkesën e ushtrisë gjermane për çelik. Rudolfi dhe familja e tij gjithashtu ia dolën mbanë kaosit ekonomik dhe politik që përndiqte vendin e tyre pas luftimeve.

Megjithatë, brenda pak vitesh, gjithçka humbi.

Humbja që pësuan prej Adolf Hitlerit

Në shënimet e gjetura nga Antony në valixhe, Peter kujtonte bisedat që kishte dëgjuar rastësisht midis prindërve të tij dhe pëshpëritjet rreth kërcënimeve naziste. Hebrenjtë fajësoheshin nga Adolf Hitleri dhe mbështetësit e tij për humbjen e Gjermanisë në Luftën e Parë Botërore dhe për vështirësitë ekonomike që pasuan.

Rudolf Eisner besonte se do të ishte i sigurt nëse kompania e tij do t’i shërbente regjimit nazist. Për një kohë, kjo dukej se po funksiononte, por ndërsa ligjet anti-hebraike u bënë gjithnjë e më ekstreme dhe abuzimi që ata shihnin përreth tyre u përkeqësua, ndaj ai filloi të rishqyrtonte situatën.

Në mars të vitit 1938, qeveria iu vu pas pas Hahn’sche Werke. Nën presionin e madh të autoriteteve, kompania në pronësi hebreje u shit me një çmim shumë të ulët te Mannesmann, një konglomerat industrial, drejtori ekzekutiv i të cilit ishte Wilhelm Zangen, një mbështetës i nazistëve.

“Është pothuajse e pamundur të përcaktohet sasia e pasurisë së vjedhur dhe sa vlejnë këto asete sot”, thotë David de Jong, autor i librit “Miliarderët Nazistë”, i cili rikthehet në gjurmët e plaçkitjes së bizneseve hebraike nën Rajhun e Tretë.

Çmontimi i Hahn’sche Werke dhe arrestimi i anëtarëve të kompanisë, i bëri Eisnerët të kuptonin se duhej të iknin. Por deri në vitin 1937, çdo familje hebreje që përpiqej të largohej nga Gjermania detyrohej t’ia dorëzonte shtetit 92% të pasurisë së saj, duke paguar një mori taksash.

Familja Eisner përballej me humbjen e asaj që kishte mbetur nga pasuria e tyre.

Marrëveshja për të rimarrë pronat e cila rezultoi e pasuksesshme

Në kulmin e kësaj krize, një burrë i quajtur Martin Hartig, një ekonomist dhe këshilltar tatimor sipas të dhënave në arkivat e Berlinit, i cili nuk ishte hebre, duket se i kishte ofruar familjes një zgjidhje për konfiskimin e afërt të aseteve të tyre nga nazistët. Ata ia dorëzuan atij elementët kryesorë të pasurisë së tyre personale, kryesisht pronat e shumta që zotëronin duke i mbrojtur kështu nga ligjet kundër hebrenjve. Antony beson se gjyshërit e tij supozonin se Hartig një ditë do t’ua kthente asetet atyre, por ata gaboheshin, pasi në vend të kësaj, ai i transferoi përgjithmonë asetet e Eisner në emrin e tij.

BBC gjeti kopje të dokumenteve origjinale të shitjes në arkivat federale të Gjermanisë dhe i ndau ato me tre ekspertë të pavarur. Të tre arritën në përfundimin se kjo marrëveshje ishte provë e një “shitjeje të detyruar” – një term i përdorur gjerësisht për të përshkruar shpronësimin e aseteve hebraike nën nazistët.

Pavarësisht humbjes së pasurisë që kishin ndërtuar gjatë brezave, gjyshërit dhe babai i Antonit arritën të largoheshin nga Gjermania në vitin 1938. Biletat e trenit, etiketat e bagazheve dhe broshurat e hotelit të ruajtura në valixhen e Peterit i lejuan Antonyt të rikthehej në historinë e udhëtimit të tyre.

Ata kishin humbur një shumë ekuivalente me miliarda, por ishin ndër anëtarët më me fat të familjes Eisner. Shumica e të afërmve të tyre u mblodhën dhe u vranë në kampe përqendrimi. Vetë Rudolfi vdiq në vitin 1945 pasi kishte kaluar pjesën më të madhe të luftës si shumë refugjatë të tjerë gjermanë, i internuar nga britanikët në Ishullin e Manit.

Nuk ka të bëjë me paratë

Antony nuk ka asnjë mundësi për të ngritur një padi për dëmshpërblim për pronën e gjyshërve të tij.

Gjyshja e tij, Hildegard, e veja e Rudolfit u përpoq ta rimerrte atë në vitet 1950, por u tërhoq pas një sfide ligjore nga Hartig. Statuti i parashkrimit për viktimat hebreje të persekutimit nazist për të kërkuar prona në ish-Gjermaninë Perëndimore ka kaluar gjithashtu.

Megjithatë, për veprat e artit të marra nga familja Eisner, ka ende shpresë për të rikuperuar atë që është humbur.

Më herët këtë vit, Muzeu Brohan në Berlin e informoi Antonyn se kishte ndërmend t’ua kthente pikturën Eisenwalzwerk pasardhësve të Henrich Eisner. Muzeu refuzoi një intervistë me BBC-në ndërsa procesi është ende në vazhdim.

Një tjetër pikturë i është kthyer Antonyt nga Muzeu i Izraelit në Jerusalem, dhe një kërkesë e tretë për një vepër arti në Austri mbetet gjithashtu e pazgjidhur.

Ndër provat që hetimi i Antonit ka zbuluar është një listë e hartuar nga Gestapoja, ku detajohen objekte dhe piktura specifike që u janë sekuestruar të afërmve të tij. Ekziston mundësia që familja e tij të gjejë dhe të rimarrë më shumë asete në të ardhmen.

“Gjithmonë kam thënë se për dëmshpërblimin nuk bëhet fjalë për objekte, para dhe prona, por për njerëz”, thotë Antony. Duke hulumtuar të kaluarën e familjes së tij, ai ka gjetur njohuri të hollësishme se kush ishin dikur babai dhe gjyshërit e tij.

“I gjithë ky proces i ka shndërruar ata në njerëz të vërtetë, që kishin jetë të vërteta”, shprehet Antony.