Shkencëtarët mbeten të ndarë për mënyrën e fillimit të jetës në Tokë. Një teori propozon se ajo u shfaq në mënyrë spontane nga një “supë primitive” molekulash organike. Një tjetër sugjeron se përbërësit e jetës kanë ardhur nga hapësira, të transportuar nga mbeturinat ndëryjore. Një studim i ri, botuar në Monthly Notices of the Royal Astronomical Society, argumenton se grimcat mikroskopike të pluhurit kozmik, dhe jo asteroidët, mund të kenë sjellë blloqet ndërtuese të jetës.
Ekzistojnë më shumë se 500 aminoacide natyrale, por 22 prej tyre, të quajtura α-aminoacide, përbëjnë bazën e proteinave dhe materialit gjenetik te organizmat e gjallë. Megjithëse shkencëtarët e kuptojnë rolin e tyre në biologji, origjina e këtyre aminoacideve të para mbetet ende e paqartë. Kërkime të mëparshme kanë zbuluar aminoacide në asteroide dhe meteorite, gjë që çoi në teorinë se këto shkëmbinj e “fekonduan” Tokën me pararendësit e jetës. Megjithatë, studiuesit e qendrës Diamond Light Source në Mbretërinë e Bashkuar sugjerojnë se grimcat mikroskopike të pluhurit, të cilat godasin Tokën shumë më shpesh sesa meteoritet, ishin një burim më i mundshëm.
Toka marr rreth 10,000 goditje meteoritesh në vit, por merr afërsisht 40,000 tonë pluhur kozmik. Statistikat tregojnë se ka shumë më tepër gjasa që aminoacidet të kenë udhëtuar mbi grimcat e pluhurit. Për të testuar nëse këto molekula mund t’i mbijetonin kushteve të ashpra të hapësirës, studiuesit krijuan pluhur kozmik sintetik nga silikati i magnezit dhe e veshën me aminoacide si glicina, alanina, acidi aspartik dhe acidi glutamik. Duke përdorur spektroskopinë me infra të kuqe nën temperatura ekstreme, ata zbuluan se vetëm glicina dhe alanina u lidhën me pluhurin duke formuar kristale.
Ekipi sugjeron se kjo tregon ekzistencën e një “mekanizmi përzgjedhës astromineralogjik”, në të cilin vetëm disa aminoacide mund të ngjiten në grimcat e pluhurit dhe të mbijetojnë gjatë udhëtimit drejt Tokës. Nëse kjo është e saktë, procesi mund të shpjegojë pse molekula të caktuara si glicina dhe alanina arritën këtu rreth 3,4–4,4 miliardë vjet më parë, pikërisht në kohën kur formoheshin korja dhe oqeanet e planetit, duke ndihmuar në ndezjen e impulseve të para të jetës.