Maqedonia e Veriut është në heshtje zgjedhore, pasi këtë të diel vendi mban zgjedhjet lokale në 80 komunat e vendit dhe kryeqytetin Shkup.
Qytetarët do të zgjedhin kryetarët e komunave dhe anëtarët e Këshillave Komunalë, rreth një vit e gjysmë pasi vendi mbajti zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.
Këtë të shtunë votojnë një kategori personash, nga të sëmurët, ata që janë në arrest shtëpiak, të burgosurit apo azilet e të moshuarve.
Ndërkohë në bashkitë ku nuk do të ketë një fitues me 50% plus një të votave, shkohet në balotazh, që mbahet më 2 nëntor.
Të drejtë vote kanë mbi 1 milion e 800 mijë qytetarë ndërsa 112 mijë janë të regjistruar në listën e veçantë zgjedhore si persona që jetojnë jashtë shtetit.
Këto zgjedhje të pushtetit vendor janë të tetat që nga pavarësia e vendit dhe qytetarët votojnë për 309 kandidatë për kryetar komune dhe për 576 lista këshilltarësh.
Në garë marrin pjesë 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 iniciativa qytetare ose kandidatura të pavarura.
Sipas sondazheve të kryera gjatë kësaj periudhe, rezultati në komunat me shumicë maqedonase pritet të jetë i parashikueshëm, ndërsa në komunat shqiptare është një situatë tjetër.
VMRO-DMPNE është partia që kryeson në sondaze me 26.7%, e ndjekur nga Lidhja socialdemokrate e maqedonise me 11.1% dhe forcë e tretë është BDI dhe Aleanca Kombëtare për Integrim me 9.9%. Në fund vjen Koalicioni VLEN me 7.5%.
Ndërkohë lidhja socialdemokrate është në një krizë të brendshme pasi humbi thellë në zgjedhjet e vitit 2024 dhe po përpiqet të ruajë ndikimin në disa komuna.
Ndërsa në rreth 15 komuna me shumicë shqiptare, gara është e ashpër mes BDI dhe koalicionit opozitar Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI)
dhe koalicionit VLEN, që është aktualisht partner në qeveri me VMRO-DPMNE.