Ballina Kosovë Marshi i motoristëve nga Kosova në Hagë: Për drejtësi, jo për politikë!

Marshi i motoristëve nga Kosova në Hagë: Për drejtësi, jo për politikë!

162
0

Prekazi, vendi ku nisi rrugëtimi i lirisë, po bëhet edhe këtë herë pikënisja e një udhëtimi që flet me gjuhën e dinjitetit. Një karvan motoristësh është nisur nga zemra e Kosovës, me destinacion Gjykatën Speciale në Hagë, duke kaluar përmes Italisë, Zvicrës, Gjermanisë, Belgjikës e deri në Holandë.

Ky marsh nuk është një shfaqje force, por një thirrje qytetare për drejtësi dhe transparencë, për një proces që duhet të jetë i lirë nga çdo ndikim politik.

Simbolika e këtij karvani është e qartë: është udhëtim për kujtesë, për nderim dhe për kërkesën më themelore që mund ta bëjë një shoqëri demokratike, drejtësi të paanshme.
Ne si qytetarë të Kosovës besojmë në drejtësinë ndërkombëtare, por po aq kemi të drejtë të kërkojmë që ajo të mos jetë selektive, të mos bëhet instrument i presioneve politike që e deformojnë vetë idenë e drejtësisë.

Gjykata Speciale në Hagë thirret në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, prandaj shqetësimi ynë është legjitim. Që nga fillimi i procesit, janë evidentuar shkelje të shumta procedurale, madje edhe të të drejtave themelore të njeriut.
Në sistemet e demokracive liberale, njeriu konsiderohet i pafajshëm deri në verdiktin e fundit; në sistemet totalitare, ndodh e kundërta, njeriu trajtohet si fajtor deri në shpalljen e verdiktit. Fatkeqësisht, këto dy paradigma duken sikur janë përzier në procesin që po zhvillohet në Hagë.

Marshi i motoristëve është kujtesë se Kosova nuk harron, por edhe nuk hesht. Është mënyra më qytetare për të bërë presion mbi qendrat e vendimmarrjes në Evropë, me qëllimin që drejtësia të ndodhë. Jo si kompromis politik, por si proces i vërtetë ligjor, që respekton dinjitetin e secilit.
Ky udhëtim nuk është vetëm fizik. Është udhëtimi i një populli që kërkon drejtësi pa frikë, pa urrejtje dhe pa hakmarrje. Është zëri i Kosovës që troket në ndërgjegjen evropiane.