Nga 1 janari 2026 hyjnë në fuqi çmimet e reja të referencës për apartamentet dhe njësitë tregtare, ku çmimet do të arrijnë deri në 200,000 lekë për m².
Ndryshimet pritet të shoqërohen edhe me një rritje të vlerës së taksës së pronës, veçanërisht në zonat më të lakmuara, si ato bregdetare.
Për pedagogen Merita Toska, kjo reflekton një diferencë që ekziston në kërkesën për prona në territore të ndryshme të vendit.
“Nëse ne shikojmë Tiranën, Durrësin, Vlorën, ka një kërkesë që duket të jetë e pandalshme, ndërkohë në bashkitë e tjera, sidomos ato periferike, është shumë e ulët,” tha pedagogia.
Ndryshimet e reja parashikojnë rritjen e numrit të zonave kadastrale nga 65 në 119.
“Unë këtë do ta shikoja si rritje të saktësisë në vlerësimin e çmimeve të referencës për t’iu përafruar sa më shumë vlerës së tregut”, u shpreh ajo.
Në kushtet aktuale, ekspertja e sheh të pamundur që taksimi të bëhet duke iu referuar çmimeve të tregut dhe jo atyre të referencës.
“Kjo do të kërkonte që kadastra fiskale të përditësonte vlerat e pasurive të paluajtshme me një frekuencë të caktuar. Ky është një veprim shumë i vështirë” shprehet ekspertja.
Gjithashtu, çmimet e banesave po ecin me ritme të përshpejtuara dhe jo të udhëhequra nga parimi i kërkesës dhe ofertës.
Zbatimin e taksës së pronës, Toska e sheh si një të ardhur të rëndësishme në arkat e qeverisjes vendore, por edhe kjo pritet të shoqërohet me sfida.
“Ajo që ne kemi problematikë më të madhe në rastin e bashkive është sa arrijmë ne ta mbledhim tek konsumatorët fundorë”, nënvizoi ajo.
Aktualisht, të ardhurat nga taksa e pronës në 61 bashkitë e vendit përbëjnë vetëm 0.5% të PBB-së, shumë larg objektivave të përcaktuara në strategjinë e decentralizimit, çka tregon për një performancë të dobët në mbledhjen e të ardhurave vendore.