Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të premten se kishte falur dënimin e ish-anëtarit të Kongresit, George Santos, i cili pritej të vuante më shumë se shtatë vite burg për mashtrim dhe vjedhje identiteti.
Njëri prej avokatëve të tij, Joseph Murray, tha për Associated Press se Santos u lirua nga institucioni korrektues federal në Fairton, New Jersey, rreth orës 23:00 të së premtes, ku u prit nga familja e tij jashtë burgut.
Santos, që përfaqësonte Partinë Republikane të New York-ut, ishte dënuar në prill pasi kishte pranuar se kishte mashtruar donatorët dhe kishte përdorur identitetet e 11 personave – përfshirë edhe të afërm të tij – për të bërë donacione për fushatën e tij elektorale.
Ai ishte futur në burg më 25 korrik dhe mbahej në një kamp sigurie minimale me më pak se 50 të burgosur.
“George Santos ishte disi një ‘rebel’, por ka shumë rebelë në vendin tonë që nuk detyrohen të kalojnë shtatë vite në burg”, shkroi Trump në rrjetin e tij social, duke shtuar se “sapo kam firmosur faljen për George Santos, i cili lirohet menjëherë”.
“Fat të mbarë George, dhe një jetë të bukur përpara!”, përfundoi Trump.