Nga Plarent Ndreca
Dje ndodhi ajo që dukej e pamundur. U kalua një tjetër kufi i pakalueshëm: një avokat u arrestua nga prokurori me të cilin ishte palë në gjyq, vetëm sepse kishte “kërcënuar” se do ta kallëzonte për manipulim provash.
Gjyqtarja që heshti përballë arrogancës së prokurorit, i cili kërcënonte avokatin në sallën e gjyqit vetëm pse ky e paralajmëroi për një kallëzim penal, nuk mbrojti as shtetin e së drejtës, as dinjitetin e gjykatës.
Në momentin që ajo pranoi të dëgjonte një prokuror që i thoshte avokatit “do të arrestoj”, humbi rolin e saj si garant i drejtësisë dhe u shndërrua në zgjatim të pushtetit të akuzës.
Ky nuk është më një rast i zakonshëm. Ky është sinjali më i qartë se drejtësia shqiptare ka hyrë në një terr të ri institucional, ku prokurori nuk është më palë në proces, por zot i procesit.
Në çdo shtet normal të së drejtës, një akt i tillë do të ngrinte në këmbë institucionet, shoqatat e juristëve, botën akademike, Dhomën e Avokatisë dhe median.
Në themel të çdo procesi penal qëndron një parim i shenjtë, e drejta për mbrojtje.
Avokati nuk është dekor në sallë, ai është garancia e fundit që shteti nuk do të abuzojë me forcën e tij.
Por sot, kjo garanci është sulmuar hapur. Arrestimi i një avokati për shkak të ushtrimit të detyrës është barbarizëm institucional, një kthim në kohë, ku frika dhe jo ligji drejtonin drejtësinë.
Në regjimet e shkuara, avokatët u reduktuan në figura simbolike, të paracaktuara, të padobishme, derisa u eliminuan tërësisht.
Sot, në një formë më të sofistikuar, por po aq të rrezikshme, ata po ndëshkohen thjesht sepse guxojnë të bëjnë atë që Kushtetuta u kërkon, të mbrojnë klientët e tyre.
Ky nuk është më një konflikt mes një avokati dhe një prokurori.
Kjo është një çështje shtetbërjeje, që prek vetë thelbin e shtetit ligjor.
Tani nuk mjaftojnë më fjalët. Nuk mjaftojnë më deklaratat që “denoncojnë” dhe as reagimet që “shprehin shqetësim”.
Kur një avokat arrestohet pse tha se do ndjekë një rrugë ligjore, të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë kanë vetëm një detyrë: të veprojnë konkretisht.
Çdo orë pa reagim është bashkëfajësi.
Avokatët nuk mund të qëndrojnë më të shpërndarë e të heshtur.
Duhet të jenë një trup i vetëm, me një zë të vetëm ose mbrojmë mbrojtjen sot, ose nesër nuk do të mbrojë askush askënd.
Çdo aktor i sistemit të drejtësisë, gjyqtar, prokuror, akademik apo funksionar publik, duhet të kuptojë se kjo nuk është çështje personale, por sulm ndaj vetë ekzistencës së shtetit të së drejtës.
Kur një prokuror arreston avokatin e kundërshtarit të tij në proces, drejtësia jo vetëm që bëhet arbitrare, por kthehet në aktor të frikës.
Ky është momenti për të vepruar si trup i vetëm, jo për të pritur secili radhën e vet.
Sepse nëse sot ndëshkohet njëri për fjalën, nesër do ndëshkohemi të gjithë për heshtjen.
Drejtësia nuk mund të ekzistojë pa mbrojtje dhe shteti nuk mund të quhet ligjor nëse e arreston atë që mbron ligjin.
Në një vend ku avokati arrestohet sepse flet, nuk kemi drejtësi, kemi pushtet pa kufij e pa kontroll.
Dhe në çdo histori njerëzore, pushteti pa kufij ka një emër të vetëm, diktaturë.