Ashton Kutcher, 47 vjeç, ka pranuar se pamja e tij tërheqëse shpesh i ka kufizuar mundësitë në karrierën e tij si aktor.
Ylli i “Dude, Where’s My Car?” tha gjatë promovimit të serialit të tij të ri FX, The Beauty, në New York Comic Con: “Ka role që i kam marrë për shkak të mënyrës se si dukem dhe role që nuk i kam marrë për të njëjtin shkak. Ndonjëherë është frustruese.”
Kutcher, i cili gjithashtu shërben si producent, shpjegoi se pamja fizike shpesh përcakton perceptimin e audiencës dhe të produksionit: “Po përpiqesh të tregosh një histori me fotografi, dhe mënyra se si dukesh ndikon në atë që po përçon personazhi”, shkruan DailyMail.
Seriali The Beauty, i bazuar në librat komikë nga Jeremy Haun dhe Jason A. Hurley, eksploron një shoqëri ku përsosmëria fizike është e mundur, por ka një çmim të lartë.
Kutcher do të luajë rolin e një miliarderi të teknologjisë dhe tha se kjo i jep mundësinë të interpretojë një personazh të ndërlikuar dhe me nuanca: “Të luash këtë personazh është një nga kënaqësitë më të mëdha të karrierës sime”.
Ai shtoi se roli e ndihmon të reflektojë mbi gjykimet shoqërore për bukurinë dhe përmirësimet kozmetike, duke e bërë përvojën profesionale më sfiduese, por edhe më të pasur për të.