Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të nisë nesër procedurat për të zgjedhur kreun e ri të SPAK. në orën 10.00 KLP do të mbledhë anëtarët për të shqyrtuar nëse katër kandidatët për drejtimin e SPAK plotësojnë kushtet ligjore për të vijuar garën.
Në rend dite do të jetë miratimi i listës me emrat që kalojnë fazën e parë formale. Vetëm pas kësaj, kandidatët do të ftohen për intervista dhe prezantim të platformës përpara KLP-së.
“Diskutimi/miratimi i projektvendimit: “Për miratimin e listës së kandidatëve që plotësojnë
kushtet ligjore të kandidimit për Drejtues në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit
dhe Krimit të Organizuar”. Kjo mbledhje do të organizohet në sallën e mbledhjeve në prezencë të Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe përfaqësuesve nga Prokurori i Përgjithshëm, Ministria e Drejtësisë, Projekti Eu4Justice dhe Programi OPDAT”, njofton zyrtarisht KLP.
Katër emrat në garë janë: Adnan Xholi, Klodian Braho, Doloreza Musabelliu dhe Ervin Gokaj. Të katër kanë dorëzuar aplikimet dhe vizionin e tyre për drejtimin e SPAK, ndërsa procedura pritet të zgjasë për disa javë. Mandati i Altin Dumanit përfundon më 18 dhjetor dhe beteja për pasuesin është zyrtarisht e hapur.
Por ky proces nuk është thjesht administrativ. Që tani, partnerët ndërkombëtarë kanë ngritur alarmin për përpjekjet e politikës për të ndikuar zgjedhjen e kreut të ri të SPAK. SHBA, BE dhe diplomatë të tjerë kanë kërkuar publikisht që procesi të jetë transparent, i drejtë dhe i pacenuar nga interesat e ngushta.