Ballina Ekonomia Kontratat ushtarake dalin jashtë rregullave standarde të prokurimit, ndryshojnë procedurat për kompaninë...

Kontratat ushtarake dalin jashtë rregullave standarde të prokurimit, ndryshojnë procedurat për kompaninë KAYO

21
0

Rregullat për blerjen e pajisjeve ushtarake kanë ndryshuar, ndërsa nuk do të ndiqet më as procedura klasike e prokurimit në kontrata.

Në Fletoren Zyrtare është publikuar një vendim që rregullon mënyrën e lidhjes së kontratave për blerjen e pajisjeve dhe materialeve ushtarake. Për shembull, bëhet fjalë për kontrata siç ishte ajo e lidhur për blerjen e dronëve turkë “Bayraktar”. Ky vendim synon të rrisë efikasitetin dhe fleksibilitetin në prokurimet për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare.

Çfarë ndryshon konkretisht? Në vëmendje janë pajisjet e projektuara posaçërisht për qëllime ushtarake, armët, municionet dhe materialet luftarake, por tashmë përfshihen edhe shërbimet, teknologjitë dhe softëare-t e lidhura me to. Këto mallra dhe shërbime përjashtohen nga procedurat e zakonshme të prokurimit publik, duke ndjekur rregulla të veçanta për sektorin e mbrojtjes.

Për herë të parë, sipërmarrjet publike ku shteti zotëron mbi 50% të aksioneve në industrinë ushtarake përfshihen si autoritete kontraktore. Këto subjekte mund të realizojnë blerje për nevojat e tyre operacionale, për sa kohë lidhen me zhvillimin e industrisë ushtarake.

Ky ndryshim vjen pas krijimit të kompanisë shtetërore për prodhimin e armëve KAYO.

Vendimi përcakton se autoritet kontraktor mund të jetë ministri i Mbrojtjes, një person i autorizuar prej tij, ose administratori i shoqërisë që vepron në këtë rol.

Grupi i punës për hartimin e projekteve ngrihet me urdhër të autoritetit kontraktor, përbëhet nga të paktën tre persona dhe duhet të përfshijë një ekspert të fushës. Në rastin e Ministrisë së Mbrojtjes, mund të angazhohen edhe specialistë nga struktura të tjera të ministrisë dhe Forcat e Armatosura.

Në rastin e sipërmarrjeve publike, pas negociimit të kontratës, administratori duhet ta paraqesë për miratim në Asamblenë e Përgjithshme, së bashku me një relacion shpjegues për procesin e prokurimit. Vendimi, vjen si pjesë e strategjisë për modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe zhvillimin e industrisë ushtarake shqiptare.