Ballina Kuriozitete Kulla Eifel, në prag shembjeje? E vërteta pas lajmit që pushtoi rrjetet...

Kulla Eifel, në prag shembjeje? E vërteta pas lajmit që pushtoi rrjetet sociale

29
0

Kulla Eifel, me lartësi 330 metra, është një nga strukturat më të njohura në botë dhe simboli më i madh i Francës. Vetëm në vitin 2023, ajo gjeneroi 117.87 milionë euro të ardhura, pa marrë asnjë subvencion shtetëror, dhe punëson mbi 300 persona në Paris.

Në fillim të tetorit, monumenti u mbyll përkohësisht për publikun për arsye sigurie, pasi mijëra protestues dolën në rrugët e kryeqytetit francez gjatë grevave kombëtare kundër politikave të qeverisë.

“Në lidhje me një grevë, Kulla Eifel është e mbyllur. Kërkojmë ndjesë për shqetësimin,” – thuhej në njoftimin zyrtar në hyrje të kullës.

Pak javë para grevave, një faqe humoristike franceze botoi një artikull satirik ku thuhej se Kulla Eifel do të rrënohej për t’u kthyer në një “rrëshqitëse gjigante” apo “sallë koncertesh”.
Fillimisht i shkruar me ton komik, ky artikull u nxor nga konteksti dhe u shpërnda si lajm i vërtetë në disa rrjete sociale.
Në X, llogari me qindra mijëra ndjekës publikuan postime ku shkruhej:

“Sipas raporteve, Kulla e famshme Eifel, simbol i Francës për më shumë se 135 vjet, do të shembet në vitin 2026 pas përfundimit të kontratës së operimit.”
Postimet shtonin se “lodhja strukturore, kostot e mirëmbajtjes dhe ankesat publike” ishin arsyet për këtë “vendim tronditës”.

Kjo mjaftoi që shumë përdorues të rrjeteve sociale të shpreheshin të tronditur, me komente si “Jo, Paris! Mos më prish vendin e ëndrrave për propozim!”, ndërsa të tjerë paralajmëruan se lajmi ishte “fake news”.

Kompania që operon monumentin, “Société d’Exploitation de la Tour Eiffel” (SETE), nuk ka bërë asnjë koment zyrtar për pretendimet virale, por faqja zyrtare e kullës vazhdon të funksionojë normalisht, dhe biletat për vizitorët shiten çdo ditë.
Në asnjë dokument publik apo plan restaurimi nuk ekziston asnjë projekt për shembjen e Kullës Eifel.

Ekspertët paralajmërojnë se përhapja e lajmeve të rreme mund të dëmtojë industrinë e turizmit. Shembulli i fundit nga Franca tregon sa lehtë mund të krijohet panik apo konfuzion në publik, edhe për monumente të famshme.

Në Itali, për shembull, qeveria ka miratuar masa të reja kundër komenteve të rreme në hotele dhe restorante, pasi sipas Ministrisë së Ndërmarrjeve, përmbajtjet mashtruese mund të ndikojnë nga 6 deri në 30 për qind të të ardhurave të bizneseve turistike.

“Ky është një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e bizneseve tona”,- tha ministrja italiane e Turizmit, Daniela Santanché. “Vlerësimet e verifikueshme janë thelbësore për besimin e turistëve.”

Në kohën e “fake news”, edhe monumentet më të famshme nuk shpëtojnë nga keqinformimi. Kulla Eifel nuk do të shembet, dhe mbyllja e saj e përkohshme nuk ka lidhje me ndonjë rrezik struktural.
Megjithatë, ky episod është një kujtesë e qartë se verifikimi i burimeve mbetet thelbësor, veçanërisht në epokën ku një postim në rrjete sociale mund të shndërrohet në “lajm botëror” për pak orë.