Një turist nga Finlanda, i quajtur Anssi Raasio, ka humbur në Shkodër që prej datës 9 tetor.
Sipas familjarëve, Raasio ndodhej prej disa ditësh në qytetin verior, ku kishte vendosur të kalonte dimrin, por ditën e fundit që është parë ka qenë duke ndryshuar vendin e akomodimit, për t’u zhvendosur në një shtëpi tjetër.
Që prej asaj dite, ai nuk është përgjigjur më në telefon, ndonëse zilen e celularit e ka aktive. Familjarët kanë nisur kërkimet dhe kanë kontaktuar disa ambiente akomodimi në zonë, por deri më tani nuk ka asnjë gjurmë nga turisti finlandez.
Motra e tij, Krista Raasio, ka shpërndarë një mesazh ndihme në rrjete sociale dhe u është drejtuar personave që mund ta kenë parë:
“Përshëndetje, ky është vëllai im Anssi Raasio nga Finlanda. Nuk kemi mundur të lidhemi me të. Do të dëshironim të dinim nëse ka qëndruar në akomodimin tuaj gjatë muajit të fundit? Do të ishim shumë mirënjohës për çdo informacion që mund të keni rreth tij. Ju faleminderit paraprakisht, Krista Raasio.”
Sipas përshkrimit të familjes, Anssi Raasio është rreth 185 cm i gjatë dhe shumë i dobët.