Gazetari Artan Hoxha ka bërë një deklaratë të fortë në “Euronews Albania” teksa tha se grupi që ka eliminuar Ervis Martinajn i njohur si mbreti i lojërave të fatit, sot është shumë i fuqizuar dhe mjaft i rrezikshëm.
Hoxha theksoi se fundi i Ervis Martinajt erdhi kur u konfliktua me pushtetin, duke iu referuar kreut të qeverisë Edi Rama që më herët ka bërë dhe një koment se “i di dhe targën” Martinajt.
Artan Hoxha deklaroi se kjo ndodhi për shkak të angazhimit të Martinajt në fushatë në mbështetje të opozitës dhe Rama i dërgoi një mesazh publikisht.
“Kryeministri u përfshi vetë në atë ngjarje, nga të rrallat. Në aktivitet ai ka thënë se e dimë kush është drejtori i lojërave të fatit, ia dimë targën e makinës, ishte përfshirja në fushatë e Ervis Martinajt në mbështetje të opozitës dhe prandaj Rama e etiketoi.“-tha Hoxha.
Gazetari Artan Hoxha u shpreh se grupi që ka eliminuar Ervis Martinajn, është fuqizuar pas vrasjes së këtij të fundit ndërsa shtoi se autoritetet ligjzbatuese kanë prova por nuk guxojnë të flasin.
Sipas gazetarit, kjo ndodh për shkak se ky grup është në pushtet dhe në momentin që do shkërrmoqet, të tjera të dhëna do dalin në dritë.
“Shikoni ngjarjet e fundit që po ndodhin në Shqipëri. E njëjta dorë që pasi ka bërë eliminimin e Ervis Martinajt, tani ka marrë një ngjitje të menjëhershme dhe prandaj sot është shumë aktive dhe e rrezikshme.
Kemi një hierarki tjetër në botën e krimit të organizuar dhe po ashtu një hierarki tjetër në botën e atyre që quhen vrasës që janë rritur nga ajo kohë, ata që patën sukses në atë ngjarje. Asnjë nga ajo skuadër nuk është arrestuar.
Jeton Lami, oficeri, ishte i vetmi që mund të ndihmonte. Në momentin që ai doli, historia ka ngelur aty. Vrasja e Martinajt ka ndodhur në kohën që s’ishte SKY ECC.
Hetimi që kemi ne, duke nënvlerësuar pjesën e brendshme, në rastin konkret nuk kemi të dhëna të sakta.
Jo se s’kanë të dhëna, por një pjesë nuk duan të flasin. Aleanca që realizoi vrasjen është shumë e fortë dhe në pushtet në të gjitha. S’mund të kesh pushtet të nëndheshëm nëse s’ke me këta lart.
Fundi i Ervis Martinajt erdhi kur u konfliktua me pushtetin sepse me rivalët ka qenë vazhdimisht në betejë. Nuk ishte strukturë fisnore, as shoqërore, ishte mercenar.“-u shpreh Hoxha.