Ballina Aktualitet Emirjana Sako 7.2 mln € shtesë për plehrat, Bashkia Durrës injoron hetimet...

Emirjana Sako 7.2 mln € shtesë për plehrat, Bashkia Durrës injoron hetimet e SPAK

90
0

Emirjana Sako do t`i paguajë 7.2 milionë euro të tjera kompanisë Intergrated Energy, që ndodhet në sekuestro nga SPAK për aferën e inceneratorit të Tiranës. Pak ditë më parë, mes kompanisë së landfillit të Sharrës dhe bashkisë Durrës, është firmosur marrëveshja e re për depozitimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës, bën të ditur Syri. Kontrata parashikon që Emirjana Sako do vijojë të paguajë më shumë se 29 euro për ton për dërgimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës, ndonëse sipas SPAK dhe KLSH, tarifa në fuqi është abuzive pasi incenerimi nuk kryhet. AKtualisht, Emirjana Sako shpenzon 10 milionë euro në vit për mbetjet urbane, apo një të pestën e të gjithë  buxhetit të bashkisë.

Ndonëse kompania e inceneratorit të Sharrës është nën sekuestro, dhe SPAK ka vërtetuar se ajo ka abuzuar dhjetëra milionë euro deri më tani, Bashkia e Durrësit ka vendosur që edhe në tre vitet në vijim të paguajë 7.2 milionë euro për depozitimin e mbejteve në Sharrë. Në datën 14 tetor, Bashkia e Durrësit, pasi dështoi në tenderin e parë, ka vendosur të lidh një marrëveshje të re me Integrated Energy BV SPV, për depozitimin e mbetjeve në Sharrë.

Procedura e prokurimit publik është bërë me negocim pa shpallje paraprake, ndërsa bashkia ka ofruar të paguajë për depozitimin e mbetjeve në Sharrë plotë 7.2 milionë euro për 36 muaj, duke shmangur konkurimin e hapur publik. Qytetarët e Durrësit por jo vetëm, do vijojë të paguajnë çdo vit miliona euro për depozitimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës, me çmimin 29 euro për  ton edhe pse procesi  në Sharrë kryhet vetëm depozitim i mbetjeve dhe jo  incenerim. Tarifa e incenerimit do të shkojë si fitim neto për kompaninë, e cila ka shkelur të gjitha afatet për të ndërtuar impiantin e djegies së mbetjeve.

Nga hetimet e SPAK dhe raportet e KLSH, ka rezultuar se tarifa 29 euro për ton është abuzive, për shkak të mos kryerjes së incenertimit. Më herët, në një kërkesë për syri tv bashkia e Durrësit kishte lënë të kuptohet se mund të rishihte termat e kontratës së re me kompaninë e inceneratorit të Sharrës. Por duket se Emirjana Sako ka vendosur të mos kursejë paratë e taksapaguesve, ku jo vetëm do të paguajë 7.2 milionë euro për depozitimin pa incenerim të mbetjeve urbane në landfillin e Sharrës por këto janë vetëm kostot neto, për depozitimin e mbetjeve në landfill, pasi nuk përfshihen edhe kostot e tjera ajo e grumbullim-pastrimit dhe transporti i mbetjeve urbane deri në landfillin e Sharrës.

Sipas të dhënave që Syri televizion disponon, Bashkia e Durrësit shpenzon mestarisht 10 milionë euro për mbetjet urbane çdo  vit, apo më shumë se 1/5 e buxhetit vjetor. Ndërkohë, tarifa abuzive e depozitimit të mbetjeve në Sharrë u konfirmua edhe nga bilancete  Integrated Energy për vitin 2024, ku rezultoi se kompania pati një fitim para taksave prej 10.3 milionë eurosh apo 60 përqind mbi xhiron.