Aeroporti i Vlorës, një nga projektet më të bujshme të qeverisë shqiptare për infrastrukturën kombëtare, është shndërruar sot në një arenë të hapur përplasjeje mes dy biznesmenëve që dikur ishin partnerë: Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit. Pas fasadës së një investimi strategjik që duhej të sillte zhvillim dhe turizëm, dalin në pah një sërë konfliktesh, akuzash dhe dyshimesh për interesa të errëta që përfshijnë kredi të dyshimta dhe lidhje me banka ruse.
Nga “projekti i ëndrrave” në kontratë të trukuar
Historia e Aeroportit të Vlorës nis në vitin 2017, kur qeveria Rama shpalli synimin për ndërtimin e një aeroporti të dytë ndërkombëtar pas Rinasit. Fillimisht, ideja ishte ta jepte koncesionin pa garë, përmes një ligji të posaçëm që do t’i kalonte projektin një kompanie turke të afërt me qeverinë. Pas reagimeve të ashpra, projekti u ridizenjua përmes një gare “të hapur”, por që – siç u raportua më vonë – rezultoi fiktive.
Vetëm katër ditë para zhvillimit të saj, u ndryshuan kriteret e pjesëmarrjes dhe nga gara u përjashtua kompania britanike “AL-DE Corporation LTD”, e cila më pas e ankimoi procedurën si të manipuluar. Fitues doli konsorciumi turk YDA Group, i njëjti që kishte ndërtuar edhe spitalin elektoral të Fierit. Por pak muaj më pas, YDA u tërhoq në mënyrë të mistershme duke shitur 40% të aksioneve të aeroportit për një shumë simbolike – rreth 4 200 euro – duke ia lënë kontrollin Mabco Construction SA, kompanisë së Behgjet Pacollit.
Partneriteti që u kthye në luftë
Në këtë moment në skenë hyn Valon Ademi, një biznesmen me lidhje të njohura me figura të qeverisë shqiptare. Ai zotëron zyrtarisht vetëm 2% të aksioneve, por pretendon se ka marrëveshje që e çojnë pjesëmarrjen e tij në 49%. Ademi ka depozituar padi në Gjykatën e Tiranës, duke akuzuar Pacollin për manipulim të strukturës aksionare dhe përjashtim nga kontrolli i projektit.
Në një reagim publik, Ademi deklaroi:
“Më kanë përjashtuar me metoda që s’kanë asnjë lidhje me transparencën e biznesit. Marrëveshjet tona janë shkelur dhe askush nuk mund të më përjashtojë nga ajo që më takon ligjërisht.”
Nga ana tjetër, Pacolli, përmes deklaratave të tij në rrjetet sociale, është shfaqur gjithnjë e më nervoz, duke folur për një “komplot të koordinuar kundër tij në Shqipëri” dhe për “forca që duan ta shantazhojnë për t’i marrë atë që është e tij”. Në një tjetër status, ai shkroi:
“Nuk jam gati për lëshime për atë që është e imja. Zoti dhe dokumentet janë dëshmitarë të qëllimeve të mia të mira.”
Në një moment tjetër, për të zbutur tensionin me qeverinë, Pacolli e cilësoi aeroportin si “një nga më të bukurit në botë, falë vizionit estetik të Edi Ramës” – një frazë që më pas e fshiu, duke nxitur edhe më shumë spekulime.
Kredia e dyshimtë dhe “hija ruse”
Përplasja mori një kthesë më serioze kur në media u përhapën dokumente që lidhnin Pacollin me një hua prej dhjetëra milionë eurosh, marrë përmes kanaleve të lidhura me banka ruse dhe fonde private me bazë në Zvicër e Qipro.
Sipas burimeve të hetimit, një pjesë e financimit të aeroportit është siguruar përmes një skeme që përfshin kredi të kolateralizuara me të ardhurat e ardhshme të aeroportit – një praktikë e zakonshme në projektet e tipit “PPP”, por që në këtë rast ka ngritur dyshime për pastrim parash dhe cënim të sigurisë kombëtare.
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar një procedim penal për “falsifikim dokumentesh dhe mashtrim me pasoja të rënda”. Sipas raportimeve mediatike, prokuroria po bashkëpunon me agjenci të huaja hetimore për të verifikuar origjinën e fondeve, për shkak të natyrës strategjike të aeroportit dhe dyshimeve për përfshirje kapitalesh të huaja me origjinë të paqartë.
Pacolli i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat duke thënë se “kredia është marrë nga institucione financiare të ligjshme ndërkombëtare” dhe se “nuk ka asnjë lidhje me Rusinë”. Por përfshirja e emrit të tij në dokumente që lidhen me rindërtimin e Kremlinit në vitet ’90 e bën këtë version të mbetet nën hije dyshimi.
Çfarë fshihet pas kulisave të koncesionit
Burime pranë Ministrisë së Infrastrukturës pranojnë se aeroporti është mbrapa afateve të kontratës, dhe fluturimet e para që duhej të niseshin që në fund të 2024-s janë shtyrë për një afat të pacaktuar. Vonesat lidhen jo vetëm me përplasjet mes aksionerëve, por edhe me mungesën e likuiditetit për përfundimin e punimeve.
Sipas plan-biznesit të dorëzuar në 2021, investimi fillestar do të ishte rreth 100 milionë euro, ndërsa përfitimet në fund të koncesionit do të kalonin 700 milionë euro. Ky raport fitim-investim ka ngritur prej kohësh dyshime se projekti është konceptuar si një thes parash për qarqe qeveritare, përmes kontratave sekondare, nënkontraktorëve dhe garancive shtetërore që mbulojnë rreziqet e biznesit privat.
“Baca” përballë sistemit
Në publik Pacolli po përpiqet të paraqitet si viktimë e një sistemi që kërkon “ta grabisë”, ndërsa Ademi po përdor kanalet ligjore dhe politike për të fituar terren. Ndërkohë, gjykatat shqiptare, prokuroria dhe mediat janë vënë në lëvizje, duke e kthyer aeroportin e Vlorës në një arenë të re të luftës mes parasë, pushtetit dhe propagandës.
Në thelb, konflikti nuk është më për një pistë avionesh, por për kontrollin e një pasurie që në fund të koncesionit mund të vlejë mbi gjysmë miliard euro. Dhe ndërsa Pacolli përpiqet të ruajë kontrollin e projektit, duke lavdëruar Edi Ramën e duke shmangur çdo përballje direkte, një gjë është e qartë:
Në këtë pistë, nuk po fluturojnë ende avionë, por shumë interesa./vna