Ballina Opinion Nga Gjykata e Lartë te Presidenca, një zinxhir pezullimesh që mban peng...

Nga Gjykata e Lartë te Presidenca, një zinxhir pezullimesh që mban peng Kushtetuesen. Gjykata futet në spiralen e Llagamit

32
0

Nga Desada Metaj

Gjykata Kushtetuese ka vendosur sot që të kalojë në seancë gjyqësore në datën 11 nëntor kërkesën e Naureda Llagamit, e cila kundërshton procesin e zhvilluar në Gjykatën e Lartë për zgjedhjen e saj si anëtare e Kushtetueses.

Ky vendim nënkupton se çështja do të shqyrtohet në themel, pra do të vlerësohen se sa të bazuara janë pretendimet e znj. Llagami, për shkelje nga ana e Mbledhjes së Gjykatës së Lartë. Ndërkohë që procesi i dekretimit të anëtarit të zgjedhur Asim Vokshi, mbahet i pezulluar nga Presidenti i Republikës. Asnjë shkak ligjor nuk e pengon z. Begaj të procedojë me dekretimin, tashmë pothuajse 20 ditë nga dita kur i kanë mbërritur dokumentet nga Gjykata e Lartë.

Mesa duket, plani që Presidenti të mbante të pezulluar dekretimin e Asim Vokshit, ndërkohë që znj. Llagami të hapte një proces gjyqësor, po funksionon. Tashmë, edhe pse Presidenti nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë shkak që e pengon të dekretojë Asim Vokshin, ai me shumë gjasë “vonesën” do mundohet ta justifikojë me ekzistencën e “një procesi gjyqësor në GJK prej sfidantes Llagami”, derisa të jepet vendimi përfundimtar.

Janë dy çështje flagrante në këtë konspiracion kushtetues, ku janë përfshirë disa autoritete: së pari, z. Vokshi as është thirrur në gjykim, e gjithashtu as nuk mund të dëgjohet, përderisa ai është drejtpërdrejt i interesuar për fatin e këtij procesi. Së dyti, dhe akoma më flagrante e diskredituese për atë që po ndodh, është fakti se pjesë e gjykimit në GJK është edhe znj. Holta Zaçe, vendi i së cilës kërkohet të zëvendësohet — një konflikt i pastër dhe i hapur interesi.

Është e lehtë të kuptosh që interesi i znj. Zaçe është të shtyjë ditët në Gjykatë, derisa anëtari zëvendësues i saj të dekretohet nga Presidenti i Republikës. E për këtë shkak, interesi i saj është që çështja Vokshi/Llagami të futet në një spirale gjyqësore që kërkon kohë për t’u mbyllur, duke bërë kështu që ajo të vazhdojë të jetë pjesë e gjykimeve të GJK.

Në fund të fundit, ajo që po ndodh në këtë histori nuk ka më as lidhje me drejtësinë, por me artin e mbajtjes së karriges. Në vend të një institucioni që mbron Kushtetutën, kemi një gjykatë që rrotullohet rreth interesave personale, një president që “pret” për të mos vepruar, dhe një sistem që e quan këtë pezullim “proces”. Shqipëria duket se e ka shpikur një formë të re stabiliteti institucional: kur të gjithë janë në konflikt interesi, askush s’ka interes ta zgjidhë.