Ballina Rajoni Për herë të parë, një shqiptar zgjidhet kryetar në komunën e Çashkës...

Për herë të parë, një shqiptar zgjidhet kryetar në komunën e Çashkës në Maqedoninë e Veriut

21
0

Suat Shaqiri nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ka fituar garën për kryetar të Komunës së Çashkës në Maqedoninë e Veriut, në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, sipas rezultateve përfundimtare të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Shaqiri ka siguruar 50.75% të votave, përkatësisht 2,322 vota, duke fituar shumicën absolute dhe duke shmangur nevojën për raund të dytë.

Pas tij është renditur kandidati i LSDM-së, Goran Stojanovski, me 24.26% të votave, ndërsa Dejan Andonovski i VMRO-DPMNE-së ka marrë 23.29%.

Fitorja e Shaqirit në këtë komunë përbën një nga rezultatet më domethënëse, pasi  shqiptarët për herë të parë fitojnë këtë komunë në pjesën qendrore të Maqedonisë së Veriut.

Shaqiri ka falenderuar të gjitha banorët e komunës së Çashkës dhe emigrantët. Ai premton se do të punojë me përkushtim për qytetarët e komunës.

“Meqë edhe zyrtarisht u shpallën rezultatet, ndjej për obligim të falënderoj të gjithë banorët e Komunës së Çashkës me të cilën nga nesër do të hapim një faqe të re dhe do të udhëheqim me dinjitet. Faleminderim i veçantë shkon për mërgatën. Ardhja dhe votimi i tyre na obligon që t’i përvishemi punës dhe të punojmë me përkushtim për këtë popull. Besimin e qytetarëve dhe të mërgimtarëve nuk do ta keqpërdorim.Do të punojmë për të gjithë, pa dallim, dhe do të dëshmojmë se edhe ne kemi kapacitet të udhëheqim me përgjegjësi dhe vizion”, shkruan Shaqiri.