Ballina Europë Suedia do grumbullojë ushqim në rast lufte me Rusinë

Suedia do grumbullojë ushqim në rast lufte me Rusinë

20
0

Suedia ka njoftuar se do të fillojë grumbullimin e ushqimeve dhe furnizimeve bujqësore për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë, duke përmendur atë që zyrtarët e përshkruajnë si një kërcënim në rritje nga Rusia. Moska i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke këmbëngulur se nuk paraqet rrezik për asnjë vend të NATO-s apo BE-së.

Bordi Suedez i Bujqësisë deklaroi të martën se do ngrejë rezerva emergjence të drithërave dhe furnizimeve të tjera kyçe për të siguruar që qytetarët të kenë qasj në ushqim të mjaftueshëm “në rast të një krize serioze apo lufte.” Qeveria ka ndarë rreth 57 milionë dollarë në buxhetin e saj të vitit 2026 për të financuar programin.

Objektet e para të magazinimit do ngrihen në veri të vendit për shkak të “rëndësisë së tij strategjike ushtarake” dhe nivelit të ulët të vetëmjaftueshmërisë në drithëra, sipas ministrit të Mbrojtjes Civile, Carl-Oskar Bohlin, i cili tha se “nuk ka kohë për të humbur”.

Grumbullimi i ri do ndërtohet gjatë periudhës 2026-2028. Bordi i Bujqësisë tha se qëllimi është të garantohet furnizimi me ushqim i barasvlershëm me 3,000 kalori për person në ditë gjatë një gjendjeje alarmi të lartë.

Ndërkohë, ligjvënësit në vendin fqinj, Finlanda, kanë thënë se do kryejnë stërvitje nën tokë muajin e ardhshëm për të praktikuar punën në kushtet e kohës së luftës, duke përmendur në mënyrë të ngjashme një kërcënim të supozuar nga Rusia.