Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ishte i ftuar në një studio televizive ku ngriti dyshime të forta mbi të kaluarën profesionale dhe pasurinë e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.
Sipas Gjonit, Sadushi nuk ka deklaruar publikisht se ka punuar si prokuror në kohën e diktaturës komuniste, ndërsa pasuria e tij vazhdon të mbahet e fshehtë nga institucionet.
‘Po t’i referohesh dhe CV-së së Sokol Sadushit në Gjykatën e Lartë, ose tij shallit të pionierit, që për mua që aty nuk mund të ishte kryetar i Gjykatës së Lartë, janë simbole të komunizmit, që një gjyqtar i gjykatës së lartë fillon i manifeston dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor as nuk merr mundim ta thërrasë,’ deklaroi deputeti.
Më tej, Gjoni theksoi se në CV-në e Sadushit mungon informacioni për periudhën para vitit 1990, duke nënvizuar se ai e fillon biografinë e tij profesionale nga viti 1991.
‘Në CV e tij thotë se, kam punuar ish-prokuror, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, lektor, avokat, drejtor i Shkollës së Magjistraturës, por CV e fillon në 1991, nuk e jep atë periudhën para vitit ’90. Të tregojë që ka punuar prokuror në filan prokurori.’, u shpreh deputeti Gjoni në SYRI TV.
Deputeti demokrat shtoi se çdo karrierë mund të ketë ulje dhe ngritje, por fshehja e së kaluarës është problematike.
‘Mirë apo keq, çdo karrierë ka uljet dhe ngritjet e veta, por e fshehin këtë për të thënë, pasi normalisht ish-prokurorët apo ish-hetues të para viteve ’90 nuk duhej të punonin sot në sistem.’
Në përfundim, Gjoni ngriti edhe një tjetër shqetësim mbi mungesën e transparencës për pasurinë e kryetarit të Gjykatës së Lartë.
‘Aq më tepër sot e kësaj dite, pasuria e Sokol Sadushit nuk është bërë publike, dhe nuk i jepet as medias, as gazetarëve dhe askujt tjetër.’, tha ndër të tjera deputeti i PD-së, Gjin Gjoni.