Përfaqësuesja U-16 e Portugalisë do të marrë pjesë në Kupën e Federatave, turne për të cilin trajneri Filipe Ramos ka shpallur listën me 22 lojtarë të ftuar.
Në këtë grumbullim, Sporting-u dominon me shtatë futbollistë, i ndjekur nga Benfica me pesë dhe FC Porto me katër.
Por vëmendjen më të madhe e tërheq Cristianinho (Al Nassr), djali i Cristiano Ronaldos, që tashmë do të përfaqësojë Portugalinë në nivelin U-16.
Futbollisti 15-vjeçar, që luan kryesisht në krahun e majtë të sulmit, ka zhvilluar katër ndeshje me kombëtaren U-15, duke spikatur në Turneun e Zhvillimit të mbajtur në Kroaci në muajin maj. Në finalen ndaj vendasve, ai realizoi dy gola dhe luajti një rol kyç në fitoren e Portugalisë.
Në Kupën e Federatave, që do të zhvillohet nga 30 tetori deri më 4 nëntor në Antalya (Turqi), Portugalia do të përballet me Turqinë (30 tetor), Uellsin (1 nëntor) dhe Anglinë (4 nëntor).
Të gjitha ndeshjet do të luhen në Emirhan Sports Centre, ndërsa grumbullimi i ekipit është planifikuar për 27 tetor në Cidade do Futebol, me udhëtimin drejt Turqisë një ditë më pas.