Ballina Kronika Dyshohet si vrasësi i Klevis Lleshit, Apeli i Posaçëm lë në burg...

Dyshohet si vrasësi i Klevis Lleshit, Apeli i Posaçëm lë në burg Sabah Nuzin

117
0

Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO për masën “arrest në burg” për Sabah Nuzin, i cili u arrestua në shtator të këtij viti me urdhër të SPAK për vrasjen e Klevis Lleshit në vitin 2020.

SPAK zbardhi ngjarjen e vrasjes së 22-vjeçarit në shtator, duke arrestuar tre persona dhe shpallur në kërkim porositësin e krimit.

Në pranga ranë Sabah Nuzi, i akuzuar si vrasës i paguar nga Aurel Hoxha (alias Kolaveri) me 50 mijë euro për eliminimin e Klevis Lleshit, si dhe Samet Loka dhe Sajmir Kolaveri, i cili u arrestua në Itali dhe konsiderohet ndërmjetës dhe ndihmës në vrasje.

Prokuroria e Posaçme ka lëshuar katër urdhër-arreste, ndërsa porositësi i dyshuar i vrasjes është Aurel Hoxha, pronar i lokalit “Monopol” në zonën e Myslym Shyrit në Tiranë i cili vijon të jetë në kërkim.

Aurel Hoxha dyshohet se ka porositur vrasjen për hakmarrje, pas vrasjes së të vëllait, Agim Hoxha, në vitin 2012 në Angli.

Të arrestuar Sabah Nuzi dhe Samet Loka akuzohen për vepra penale si: vrasje për gjakmarrje, fshehje dhe asgjësim kufome, pastrim i produktit të veprës penale, grup i strukturuar kriminal dhe vepra të tjera të kryera nga grup i strukturuar kriminal. Shtetasi Sajmir Kolaveri dyshohet për të njëjtat akuza.

SPAK ka zbardhur ngjarjen pas pesë vitesh nga zhdukja e Klevis Lleshit në gusht të vitit 2020 dhe gjetjes së tij të groposur dy vite më vonë në një fshat të Kurbinit.

Identifikimi i Klevis Lleshit u bë në shkurt 2023, pasi banorët e fshatit Shpërdhet të Kurbinit gjetën mbetje kockore. Analiza e ADN-së nga Instituti i Policisë Shkencore konfirmoi identitetin e viktimës.

Ngjarja u zbardh përmes transkriptimeve të komunikimeve në aplikacionin Sky ECC.