Kandidati i pavaruar për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj ka zhvilluar një takim me partitë politike. Në takim janë bërë bashkë demokratë dhe emra të cilët u propozuan nga partitë e tjera, për postin e kryebashkiakut.
Barbara Doda, përfaqësuaesja e partisë ‘Mundësia’ ishte pjesë e takimit. Kujtojmë se kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj fillimisht u shpreh se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Florian Binajt.
Në takim nuk ka munguar as kandidati i propozuar nga ‘Mundësia’, politologu Ermal Hasimja, i cili ka shprehur hapur mbështetjen ndaj Binajt.
Ilir Alimehmeti, përfaqësuesi i PD dhe një nga negociatorët kryesorë për gjetjen e kandidatit të përbashkët të opozitës, ishte pjesë e takimit.
Kujtojmë se vetë kryetari i Partisë Demokartike, Sali Berisha nga një konferencë për shtyp ka njoftuar se ndër kandidatët e propozuar nga drejtues dhe personalitete të PD, është vendosur të mbështesin së bashu aktorin dhe aktivistin Florian Binaj.
Pas takimit, Binaj tha për mediat se takime të ngjashme do të zhvillohen në vijim, teksa sqaroi se programi i tij për kryeqytetin është duke u përgatitur në bashkëpunim me një ekip të pavarur.
“Sot u zhvillua takimi me përfaqësuesit, të dërguarit dhe koordinatorët e opozitës. Ishte një takim shumë i frytshëm për tu koordinuar me njëri tjetrin. Ne jemi të gjithë së bashku dhe unë si kandidat i pavarur, falë mbështetjes së të gjitha partive opozitare, u bëj thirrje qytetarëve që të na bashkohen pa dallim partie, sepse kjo është një çështje që i vlen shumë të gjithëve. Jemi duke punuar me një ekip jopartiak, që brenda një kohe të duhur të dalim dhe të tregojmë këtë program para qytetarëve”, tha Binaj.
I pyetur nëse ka pasur komunikim me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, Binaj tha: “Nuk kam folur me zotin Berisha dhe e kam thënë që në daljet në fushatë do jem pa përfaqësimin e kryetarëve, por absolutisht jam i gatshëm të takoj çdo kryetar të partive të opozitës”.
“Ky bashkim që po ndodh tani është një tregues i jashtëzakonshëm i asaj që pritet të ndodhi. Jam kandidat i pavarur, i mbështetur nga të gjitha partitë e opozitës dhe nëse ju e shihni si një lloj varësie se mbështetja vjen jo vetëm nga PD, po atëherë jam i varur dhe nga partia Mundësia, dhe nga Nisma Thurje dhe nga Shqipëria Bëhet, nga të gjitha”, shtoi ai.