Merr kthesë tjetër dosja e inceneratorit të Fierit. Gjykata e Lartë kthen për rishqyrtim në Apelin e Gjykatës së Posaçme çështjen e ish-deputetit socialist Alqi Bllako.
Ish-ligjvënësi u dënua me 2 vite e 8 muaj burg për inceneratorin e Fierit, me akuzën e shpërdorimit të detyrës gjatë kohës që ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit kur u nënshkrua inceneratori.
Bllako kërkoi nga Gjykata e Lartë lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë, që e shpalli të pafajshëm.
Pasi shqyrtoi ankimimin, GJL vendosi që çështja të rigjykohej në Apelin e GJKKO-së me një tjetër trupë gjykuese.
Alqi Bllako u dënua në Apel për shpërdorim detyre me 4 vite burg, por që i zbriti në 2 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Vendimi i Gjykatës së Lartë:
“Prishjen e vendimit nr.55 (87-2024-383) datë 19.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim pranë asaj gjykate, me tjetër trup gjykues”.