Negociatat e Lëvizjes Vetëvendosje me partitë e tjera politike për formimin e Qeverisë së re të Kosovës mbeten ende të paqarta dhe pa ndonjë rezultat konkret. Ndërkohë, afati kushtetues për prezantimin e Qeverisë skadon më 26 tetor, ndërsa ankesa e paraqitur nga Lista Serbe në Gjykatën Kushtetuese pritet ta ndërlikojë më tej procesin.
Gjysma e afatit për formimin e Qeverisë tashmë ka kaluar, por skena politike në vend vazhdon të karakterizohet nga pasiguri dhe mungesë e marrëveshjeve të qarta.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deri më tani ka dhënë vetëm një zotim publik, se “do të nisin negociatat”, pa ndonjë sinjal konkret për arritjen e një marrëveshjeje apo ndërtimin e një shumice parlamentare të qëndrueshme.
Lëvizja Vetëvendosje ndodhet nën presion të madh për të siguruar mbështetje në Kuvend, pasi zgjedhjet e 9 shkurtit nuk i dhanë asaj numrat e nevojshëm për të qeverisur e vetme.
Opsionet për krijimin e koalicionit mbeten të kufizuara: partia në pushtet ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me Partinë Demokratike të Kosovës, e cila doli e dyta në zgjedhje, ndërsa ka lënë të hapur derën për një marrëveshje të mundshme me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
E pyetur nga gazetarët për situatën politike, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se nuk dëshiron të bëjë parashikime për dështim në krijimin e Qeverisë, duke shtuar se ekzistojnë afate të përcaktuara me Kushtetutë dhe me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese në rastet kur partia e parë dhe e dyta nuk arrijnë të formojnë qeverinë.
“Nëse vjen deri te një situatë e tillë, atëherë janë afatet e qarta të përcaktuara me Kushtetutë, si dhe me disa aktgjykime të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, që parashohin periudhën 30 deri në 45 ditë. Këtë datë do ta përcaktoja në përputhje me interesat e Kosovës dhe pas konsultimeve me partitë politike. Nuk do të ngutesha të jap supozime për dështim ka ende kohë dhe shpresoj të ketë përkushtim maksimal për krijimin e Qeverisë së Kosovës, sepse qytetarët kanë votuar për institucione funksionale”, u shpreh Osmani.
Lidhur me ankesën e Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin e punës së Kuvendit, Presidentja e cilësoi atë si “tërësisht të panevojshme”.
Sipas saj, “vonesat që po tentohen të krijohen nga Lista Serbe dëmtojnë jo vetëm interesin e Kosovës si shtet, por edhe të gjithë qytetarëve, përfshirë komunitetin serb”. Ajo shtoi se pas një periudhe të gjatë pa qeveri me mandat të plotë, është jetike që institucionet të funksionalizohen sa më parë.
Në anën tjetër, Lista Serbe, partia kryesore e komunitetit serb në Kosovë, ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër zgjedhjes së nënkryetarit serb të Kuvendit, Nenad Rashiq, duke pretenduar shkelje të Kushtetutës dhe të rregulloreve të brendshme. Ankesa u paraqit më pak se një javë pas konstituimit të Kuvendit një proces që u zvarrit për gati gjashtë muaj./Reporteri.net/