Ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Krenar Ahmeti, ka folur hapur për gjendjen e trupës policore dhe mungesën e motivimit brenda sistemit. I ftuar në emisionin Off the Record, Ahmeti tha se Policia shqiptare ka të gjitha mjetet ligjore për të luftuar krimin, por mungon vullneti për të vepruar.
“Policia shqiptare i ka të gjitha strukturat, nuk ka nevojë as për SPAK-un. Ka kuadër ligjor, ka kod të procedurës, ka OPGJ-të e veta. Po të dojë të veprojë, mundet, por s’ka vullnet,” deklaroi ai.
I pyetur se nga do ta niste luftën ndaj krimit nëse do të ishte sot në krye të Policisë së Shtetit, Ahmeti dha një përgjigje të sinqertë:
“As unë nuk kam vullnet. Kur ky shtet hedh miliona për të arsimuar njerëzit dhe më pas i hedh në rrugë, pse duhet të kthehem? Për një milion lekë rrogë?! Nuk ja vlen. Nuk e mbaj dot familjen me aq,” u shpreh ai.
Ahmeti tha se mungesa e motivimit është e përhapur në të gjithë strukturën, duke e cilësuar si një krizë morale dhe ekonomike brenda policisë.
“Kemi kolegë që janë ende në punë dhe e shohim në sytë e tyre mungesën e shkëndijës. Thonë ‘marrim atë rrogë dhe kaq’. Kjo është për të ndershmit, sepse me të pandershmit s’kemi lidhje”, tha ai.