Qeveria greke po kërkon të ndalojë mbajtjen e protestave para Varrit të Ushtarit të Panjohur, një monument ikonik jashtë Parlamentit në Athinë. Qeveria greke paraqiti të martën një amendament që shkaktoi një debat të nxehtë parlamentar.
Katër parti opozitare paraqitën kundërshtime, duke pretenduar se amendamenti është jokushtetues dhe kufizon të drejtën e shprehjes dhe protestës së lirë. Partia e krahut të majtë Syriza bëri thirrje për një protestë të martën në mbrëmje.
Zona përpara monumentit u bë pika qendrore e protestave nga disa prej të afërmve të viktimave të aksidentit hekurudhor në Tempi. Ngjarja e shkurtit 2023 vrau 57 persona, kryesisht studentë që ktheheshin në universitet pas një feste zyrtare.
Amendamenti i sjellë nga qeveria e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis do të lejojë vetëm vizitorët dhe do të ndalojë protestat në zonë. Shkelësit do të përballeshin me gjobë ose deri në një vit burgim. Qeveria argumenton se Varri i Ushtarit të Panjohur është një monument kombëtar që duhet të mbrohet.
“Qëllimi (i amendamentit) nuk është përçarës. Qëllimi është respekti, përforcimi i respektit për një monument të shenjtë”, tha të hënën zëdhënësi i qeverisë Pavlos Marinakis.
Por partitë e opozitës argumentojnë se ky veprim është një reagim i drejtpërdrejtë ndaj protestave antiqeveritare për shkak të katastrofës së Tempit. Panos Ruçi, i cili humbi në aksident djalin e tij 22-vjeçar organizoi një grevë urie 23-ditore duke kërkuar që trupi i djalit të tij të zhvarroset për analiza toksikologjike dhe ADN-je për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Autoritetet gjyqësore dhanë lejen në fillim të tetorit.