Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO) dhe Kombeve të Bashkuara, të përpunuara nga Visual Capitalist, tregojnë se shqiptarët jetojnë mesatarisht 80 vjet, prej të cilave 66.7 vjet në shëndet të plotë dhe rreth 13.3 vjet në gjendje të dobët shëndetësore.
Kjo diferencë, që përfaqëson vitet e jetuara me sëmundje apo aftësi të kufizuara, e vendos Shqipërinë në vendin e 46-të në botë, një pozicion relativisht i mirë për një ekonomi në zhvillim dhe për më tepër, më i favorshëm se shumica e vendeve të rajonit.
Shqipëria përballë fqinjëve të Ballkanit
Në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit, Shqipëria ka një bilanc më pozitiv midis jetëgjatësisë dhe viteve të jetuara në shëndet të dobët. Maqedonia e Veriut ka jetëgjatësi 77.7 vjet dhe 14 vjet në gjendje të dobët; Bullgaria 76 vjet dhe 13.6 vjet; ndërsa Serbia 77.1 vjet dhe 13.2 vjet.
Bosnja dhe Hercegovina renditet me 78.2 vjet jetë dhe 13.2 vjet jetë në shëndet të dobët, ndërsa Greqia, vend anëtar i BE-së, arrin 82.2 vjet jetëgjatësi me 13.6 vjet jetë me probleme shëndetësore.
Në këtë renditje, Shqipëria dallon me 80 vjet jetëgjatësi, më e lartë se Serbia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, dhe shumë afër Greqisë e Bosnjës. Edhe viteve të jetuara në shëndet të dobët (13.3), Shqipëria qëndron në nivel më të ulët se mesatarja e rajonit (rreth 13.8), duke sinjalizuar përmirësim në cilësinë e jetesës gjatë moshës së tretë.
Në raport me vendet e Bashkimit Evropian, hendeku shëndet–moshë i shqiptarëve është pothuaj i njëjtë. Në Itali, qytetarët jetojnë 84 vjet, me 13.4 vjet në gjendje të dobët shëndetësore; në Francë, 83.6 vjet me 13.5 vjet; në Portugali, 82.7 vjet me 13.2 vjet; ndërsa në Greqi, 82.2 vjet me 13.6 vjet.
Shqipëria, me 80 vjet jetëgjatësi dhe 13.3 vjet në gjendje të dobët, renditet shumë pranë këtyre vendeve, megjithëse me një diferencë 3–4 vjet më të shkurtër në jetëgjatësi të përgjithshme.
Kjo ngjashmëri tregon se cilësia e jetës në pleqëri në Shqipëri po afrohet me atë të Evropës Jugore, edhe pse niveli i të ardhurave dhe shpenzimeve shëndetësore për frymë mbetet shumë më i ulët.
Në shkallë globale, Shqipëria qëndron më mirë se SHBA, ku njerëzit jetojnë 79.6 vjet, por kalojnë 15.7 vjet në gjendje të dobët shëndetësore.
Ndërsa në vendet e Gjirit, si Bahreini (17.4 vjet në gjendje të dobët) apo Omani (17.3 vjet), pavarësisht se kanë jetëgjatësi të lartë, periudha e sëmundshmërisë është dukshëm më e gjatë.
Nga ana tjetër, Australia është ndër më të avancuarat, me jetëgjatësi 84.2 vjet dhe vetëm 13.6 vjet jetë me probleme shëndetësore, pothuaj e njëjtë me Shqipërinë në raportin mes shëndetit dhe moshës.
Megjithatë, fakti që çdo shqiptar kalon mesatarisht 13 vjet të jetës me sëmundje kronike apo kufizime fizike mbetet një sfidë për sistemin shëndetësor publik, sidomos për përballimin e plakjes së popullsisë dhe mungesës së infrastrukturës për kujdes afatgjatë. /ekofin.al







