Ballina Kosovë Specialja refuzon disa prova të propozuara nga mbrojtja, ja arsyeja

Specialja refuzon disa prova të propozuara nga mbrojtja, ja arsyeja

37
0

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë me kërkesën e mbrojtjes së Jakup Krasniqit, janë pranuar në prova materiale disa dokumente në rastin ku Krasniqi së bashku me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Mirëpo, në vendimin e 16 tetorit 2025, trupi gjykues ka thënë që provat që lidhen me krime që supozohet se janë kryer nga forcat serbe, janë të parëndësishme në këtë rast ndaj të akuzuarit, duke i refuzuar ato, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndryshe, më 15 shtator 2025, mbrojtja e Krasniqit kishte dorëzuar kërkesë për pranimin e disa dokumenteve në prova materiale.

Sipas dokumentit të Gjykatës, mbrojtja kishte kërkuar 39 dokumente, e që për disa prej tyre kishte pasur kundërshtime Prokuroria.

Sipas mbrojtjes, këto dokumente përbëhen nga raporte bashkëkohore ndërkombëtare ose materiale nga mediat dhe kanë lidhje të rëndësishme me aktakuzën dhe vendndodhjet që përmenden në atë, siç janë Gjilani, Shala, Rahoveci, Prizreni, Llapashtica, Budakova, Semetishta dhe Drenoci.

Mbrojtja pretendon se këto dokumente janë të rëndësishme për të kundërshtuar pretendimet e aktakuzës që lidhen me ekzistencën e supozuar të një politike kundër kundërshtarëve.

Gjithashtu, mbrojtja pretendon se këto dokumente kanë vlerë provuese lidhur me mungesën e kontrollit efektiv të Krasniqit mbi ndonjë pjesëtar të UÇK-së ose që ka pasur dijeninë për krime të kryera në nivel lokal.

Për provat nga 1 deri në 4 dhe nga 7 deri në 32, trupi gjykues ka vënë re se përbëhen nga raporte ose dokumente të tjera që burojnë nga institucione ndërkombëtare, si dhe janë artikuj filmik nga mediat.

Sipas dokumentit, mbrojtja e Krasniqit pretendon se ato janë për të treguar çorganizimin e UÇK-së dhe paaftësinë e saj për të kontrolluar anëtarët e vet në periudhën pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës më 9 qershor 1999. Po ashtu, thuhet se këto dokumente dëshmojnë paaftësinë e UÇK-së për të kontrolluar rrethanat kaotike në Rahovec dhe Prizren të shkaktuara pas kthimit masiv të refugjatëve.

Sipas mbrojtjes, dokumentet tregojnë se krimet e kryera në Rahovec dhe Prizren janë kryer nga individë ose grupe që kanë vepruar jashtë kontrollit ose dijenisë së të akuzuarit.

Përveç kësaj, thuhet se këto dokumente lidhen edhe me situatën e sigurisë në Gjilan dhe ekzistencën e LDK-së dhe marrëdhënien e tyre me UÇK-në. Gjithashtu, thuhet se dokumentet e ngjashme janë për të vërtetuar besueshmërinë e një dëshmitari.

Për dokumentin 4, mbrojtja sipas trupit gjykues po synon të tregojë se popullsia shqiptare ishte në një pozitë më të pafavorshme dhe më të rrezikuar në krahasim me popullsinë serbe në një fshat.

Mirëpo, trupi gjykues ka thënë se provat që lidhen me krime që supozohet se janë kryer nga forcat serbe janë të parëndësishme.

“Paneli fillimisht vëren se ka vendosur më herët se provat që lidhen me krime të supozuara të kryera nga forcat serbe janë, në përgjithësi, të parëndësishme për akuzat ndaj të Akuzuarit”, thuhet në vendim.

Sipas trupit gjykues, mbrojtja s’ka vërtetuar ndonjë rast që lidhet me ndonjë prej akuzave ose fakteve në aktakuzë dhe as nuk kanë lidhje me vlerën provuese për organizimin ose aktivitetin e UÇK-së. Si rrjedhojë, u konstatua se mbrojtja e Krasniqit nuk e ka vërtetuar rëndësinë e provës 4.

Ndërsa për provën 11, e cila është një video, trupi gjykues thotë se lidhet me pasojat e krimeve serbe ndaj popullsisë shqiptare, me karakterin mbrojtës të UÇK-së, me akuzat për përfshirjen e saj në zhdukjet dhe vrasjet e disa personave të gjetur në rrethana të paqarta, si dhe me aktet e mundshme të hakmarrjes nga civilët.

Kryesisht, në video pretendohet se janë krime të kryera nga forcat serbe në rrethinë të Rahovecit. Megjithatë, trupi gjykues ka thënë se mbrojtja e Krasniqit nuk ka vërtetuar që pjesa e parë e videos është e rëndësishme për këtë çështje. Ndërsa, pjesa pasuese për qëllimin e pretenduar të UÇK-së për të ndihmuar në hetimin e krimeve dhe aktet e mundshme të hakmarrjes nga popullsia shqiptare në rast se nuk bëheshin arrestime, mund të jenë të rëndësishme për këtë rast, sipas trupit gjykues.

Ndërsa, për provën 12, trupi gjykues thotë se asnjë prej incidenteve që përshkruhen në atë nuk janë të përfshira në aktakuzë, por mund të jenë të rëndësishme për të përcaktuar nivelin e dhunës ndaj anëtarëve të caktuar të pakicave.

Megjithatë, trupi gjykues thotë se kjo provë mund të jetë e rëndësishme sa i përket një aspekti të kufizuar që lidhet kryesisht me identitetin e atyre që janë përfshirë në këto akte dhune.

Kurse, për provën 15, trupi gjykues ka thënë se lidhet kryesisht me krime që pretendohet se janë kryer nga forcat serbe. Andaj e ka konsideruar si provë të parëndësishme për këtë çështje.

Sa i përket provës 16, është pretendimi i mbrojtjes së Krasniqit se ajo lidhet me krimet e kryera nga forcat serbe dhe me narrativën se UÇK-ja nuk kishte kontroll mbi të gjithë individët që kryenin krime pas përfundimit zyrtar të konfliktit.

Trupi gjykues ka thënë se kjo provë mund të ketë një rëndësi të dobët për disa përfundime që mund të nxjerrën në lidhje me politikën e UÇK-së për të shënjestruar kategori të caktuara individësh dhe me sjelljen e të akuzuarve.

Ndërsa, as për provat 18 dhe 19, trupi gjykues ka thënë se mbrojtja e Krasniqit nuk ka vërtetuar se pse janë ato të rëndësishme.

Kurse, për provat 21 dhe 22, trupi gjykues thotë se mbrojtja pretendon se lidhen me hetime penale ndaj një dëshmitari nga i cili Prokuroria kishte hequr dorë. Sipas mbrojtjes, ky hetim kishte të bënte me krime që kanë të bëjnë me zonën dhe periudhën kohore të aktakuzës.

Në anën tjetër, trupi gjykues për këto prova ka thënë se viktimat e identifikuara në raportet e hetimit penal nuk janë viktima të përmendura në aktakuzë si dhe krimet e përshkruara në atë nuk kanë lidhje me këtë çështje.

Kurse, për dokumentet 5 dhe 6 që kanë të bëjnë me fshatin Shalë, thuhet se janë materiale filmike të publikuara nga mediat ndërkombëtare si dhe një raport nga institucione të huaja.

Për këto, mbrojtja kishe thënë se janë të rëndësishme për të treguar raste kur personat e kapur nga UÇK-ja gjatë luftës raportuan se ishin trajtuar drejt, duke kundërshtuar kështu pretendimet se ndalimet dhe keqtrajtimet e atribuuara UÇK-së.

Sipas dokumentit, këto dy prova i referohen ngjarjeve të janarit të 1999-ës, ndërkohë që akuzat në aktakuzë që kanë të bëjnë me Shalë, lidhen me tetor dhe nëntor të 1998-ës.

“Megjithatë, konsiderohet se këto prova të propozuara lidhen me një incident që është i rëndësishëm për të përcaktuar aftësinë e UÇK-së për të arrestuar dhe liruar të ndaluarit, dhe mund të jenë të rëndësishme për disa përfundime që po kërkohen nga Palët në lidhje me ndalimet e UÇK-së”, thuhet në vendim, i cili konstatoi se këto dokumente janë të rëndësishme dhe u pranuan në prova.

Provat e propozuara 33 dhe 34 që kanë të bëjnë me Llapashticën, thuhet se janë artikuj të publikuar në dy media të ndryshme. Mbrojtja kishte thënë se janë të rëndësishme për marrëdhëniet midis UÇK-së dhe LDK-së, duke kundërshtuar kështu ekzistencën e pretenduar të një politike të UÇK-së kundër kundërshtarëve politikë dhe tregimin se informacioni i dhënë nga media nuk kishte origjinë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, por nga njësi individuale në terren, duke kundërshtuar kështu pretendimin se të akuzuarit ishin të përfshirë në formulimin dhe shpërndarjen e të gjitha informacioneve që merrte media.

Mirëpo, trupi gjykues ka thënë se këto dokumente nuk lidhen me krimet në Llapashticë të cilat përmenden në aktakuzë. Megjithatë, për provën 33, trupi gjykues ka thënë se mund të jetë e rëndësishme për çështjen e marrëdhënieve midis udhëheqjes së UÇK-së në Zonën Operative të Llapit dhe LDK-së (dhe organizatave të tjera lokale).

Ndërsa, për provën 34, Specialja ka thënë se është e rëndësishëm për aq sa mund të tregojë se komanda e Zonës Operative të Llapit publikonte njoftime publike përmes mediave. Ky artikull, sipas trupit gjykues gjithashtu përmban informacion të përgjithshëm që mund të jetë i rëndësishëm për të përcaktuar ekzistencën e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në atë kohë.

Për provat 35 dhe 36 që kanë të bëjnë me Budakovën she Semetishten, thuhet se përbëhen nga përmbledhje dokumentesh që lidhen me hetimet penale të dy viktimave të dyshuara për vrasje.

Mbrojtja e Krasniqit ka pretenduar se ato prova janë të rëndësishme për zhdukjen e dy viktimave të përmendura në aktakuzë dhe synojnë të tregojnë se autori i dyshuar ka qenë një ushtar i thjeshtë, i cili, sipas raportimeve, nuk ka vepruar sipas urdhrit të një eprori.

Si rrjedhojë, edhe trupi gjykues i ka pranuar këto dy dokumente duke i quajtur të rëndësishme për faktet dhe rrethanat që lidhen me këtë rast gjyqësor.

Kurse, provat 37 deri në 39 që kanë të bëjnë me Drenocin, thuhet se përbëhen nga një pamje e ngrirë e një videoje, si dhe janë raporte që burojnë nga një institucion ndërkombëtar në lidhje me rrëmbimin e dy viktimave.

Sipas mbrojtjes, këto dokumente e mbështesin ekzistencën e gjakmarrjeve në Kosovë dhe dëshmojnë vdekjen e një viktime.

Mirëpo, trupi gjykues pretendon se dokumenti 37 nuk është i rëndësishëm për këto procedura pasi që as edhe viktima e gjakmarrjes së pretenduar nuk është viktimë pjesëmarrëse në këto procedura.

Ndërsa, prova 38, thuhet se janë përmbledhje të deklaratave të dy dëshmitarëve gjatë një hetimi penal. Si rrjedhojë, trupi gjykues ka thënë se ato nuk mund të pranohen përmes tabelës së provave. Pra, nuk u pranua ky dokument e ngjashëm as prova 37. Ndërsa, prova 39 u pranua.

Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.

Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë.

DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.