Ballina Ekonomia Të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse, Shqipëria ndër vendet e fundit...

Të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse, Shqipëria ndër vendet e fundit në Evropë, më pak se 40% e mesatares së BE

35
0

Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat mbi GDP-në për frymë në standarde të fuqisë blerëse (PPS), mesatarja e Bashkimit Evropian në vitin 2023 ishte 38 100 PPS, ndërsa Shqipëria mbetet shumë poshtë këtij niveli, me më pak se 15 000 PPS për frymë,  pra më pak se 40 % e mesatares së BE-së.

Kjo nënvizon diferencën e thellë ekonomike që vazhdon të ndajë Shqipërinë nga pjesa tjetër e Europës, madje edhe nga fqinjët e saj më të afërt në Ballkan.

Në Serbi, niveli i GDP-së për frymë lëviz mes 15 000 dhe 24 500 PPS, ndërsa Beogradi arrin në grupin 24 500–31 100 PPS, pra rreth 65–80 % të mesatares së BE-së. Maqedonia e Veriut ka një situatë të ngjashme: rajonet e zakonshme variojnë nga 15 000–24 500 PPS, me Shkupin që afrohet ndjeshëm me Serbinë qendrore.

Në Mal të Zi, zona bregdetare Budva–Kotor ka një nivel pak më të lartë, në kufirin 15 000–24 500 PPS, ndërsa pjesa e brendshme është më afër kufirit shqiptar prej < 15 000 PPS. Bosnja dhe Hercegovina, nga ana tjetër, është pothuajse në të njëjtin rang me Shqipërinë, me disa përjashtime rreth Sarajevës që afrohen me 20 000 PPS.

Krahasuar me këto vende, Shqipëria rezulton një shkallë më poshtë, pa ndonjë rajon që i afrohet kategorisë së dytë. Shqipëria ka pothuajse gjysmën e fuqisë blerëse për frymë. Thënë më thjesht: një konsumator grek apo bullgar ka mesatarisht dyfishin e fuqisë ekonomike që ka një qytetar shqiptar.

Sipas vlerësimeve të fundit, GDP për frymë në Shqipëri është rreth 11 000–12 000 PPS, ndërsa mesatarja e BE-së qëndron në 38 100 PPS. Kjo do të thotë se çdo shqiptar gjeneron rreth një të tretën e vlerës ekonomike që prodhon një qytetar mesatar evropian, duke përforcuar shifrat se Shqipëria është ende ndër ekonomitë më të dobëta sa i përket të ardhurave për frymë në kontinent