Situata në spitalin onkologjik paraqitet kritike. Pacientëve u mungojnë aparatura jetike si mamografia, PET-Scani dhe shërbimi i brakiterapisë, të cilat janë thelbësore për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të rënda. Përveç këtyre, denoncohet mungesa e vazhdueshme e ilaçeve bazike të nevojshme për trajtimin e formave të ndryshme të kancerit, duke i lënë të sëmurët pa mundësinë e një trajtimi të plotë dhe efektiv.
Kjo protestë vjen në vazhdën e problemeve të thella dhe skandaleve që kanë pllakosur këtë shërbim. Më herët, spitali u përfshi në një skandal të madh ku mjekë u akuzuan se kishin abuzuar me detyrën, duke shfrytëzuar pacientët me kancer dhe duke “luajtur me jetën e qytetarëve”. Mungesat aktuale shihen si një tjetër dëshmi e dështimit të sistemit për të ofruar kujdesin e duhur shëndetësor për kategori kaq delikate.
Gjatë fjalës së tij, Stafa u shpreh se është hipokrizi të flitet për ndërgjegjësim ndaj kancerit në një kohë kur në spitalin Onkologjik mungojnë aparaturat më bazike si mamografia dhe PET-Scani, ndërsa medikamentet jepen jashtë çdo protokolli mjekësor. Ai denoncoi raste konkrete të pacientëve që presin prej muajsh trajtime jetike, ndërsa shteti, ka vendosur kush do të ketë të drejtë të jetojë e kush jo, përmes listave të ilaçeve të rimbursueshme.
Pjesë nga deklarata e plotë:
“Ironikisht, protesta zhvillohet në muajin tetor, i njohur ndërkombëtarisht si “Tetori Rozë” dhe i dedikuar ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit. Por për protestuesit, realiteti i hidhur dhe mungesa e shpresës e ka shndërruar atë në “Tetorin e Zi”, një simbol i errësirës që përjetojnë për shkak të neglizhencës shtetërore. Protestuesit kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme për furnizimin me ilaçe dhe vënien në punë të aparaturave, duke theksuar se çdo ditë vonesë rrezikon jetë njerëzish.
Por si mundet ai i cili ka përgjegjësinë kryesore për të pasur të gjitha medikamentet, aparaturat për ata të cilët luftojnë kancerin, bën këtë thirrje hipokrizie. Sepse e di çfarë bëjnë? I thonë grave e vajzave diagnostikohuni e ndërkohë në spitalin onkologjik, në qendrën më të madhe ku bëhet lufta kundër kancerit, s’ka mamografi. Ka më shumë se 10 ditë që mamografia në spitalin onkologjik nuk punon. U thonë grave e vajzave diagnostikohuni, e s’kanë ilaçe për kancerin e gjirit. Një herë i japin herceptim. Mbaron herceptina, i japin Fesgo.
Mbaron Fesgo, i japin herceptim. Përkundrejt kundër çdo protokolli ndërkombëtar që njeh kjo betejë me kancerin. Çfarë po bëjnë? Para pak ditësh kam publikuar rastin e një nëne 60 vjeçare. Vuante nga kanceri i mitrës. Një zonjë me emrin Hava Tafa. Është pret akoma ilaçin. Ka më shumë se një muaj, pret ilaçin për të luftuar kancerin e saj. E di çfarë i ka thënë Ministria dhe Drejtoria e QSUT-së? Ti nuk mundesh dot ta marrësh të rimbursuar ilaçin, sepse kanceri i mitrës, pra medikamenti për kancerin e mitrës nuk rimbusohet. Por ata që kanë kancerin e gjirit apo të melanomës që është i lëkurës, ata munden ta marrin. Po kush e vendos se kush do luftojë me kancerin dhe kush do vdesë? Sepse këtë kanë bërë.
Ty i thonë, do vdesësh. S’ka ilaç për ty. Për ty tjetrin po, ti do luftosh. Të gjithë pamë raportin e KLSH-së. Raporti më i frikshëm, e them me përgjegjësi të plotë, i bërë ndonjëherë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Një raport i cili vërteton që një pacient për gjashtë muaj nuk ka pasur medikamente. Që vërteton se një pacient 39 herë ka shkuar në spitalin onkologjik dhe 39 herë është kthyer pas. Që vërteton se rreth 800 të sëmurë me kancer nuk kanë marrë medikamentet kur duhet dhe si duhet dhe sipas protokollit. Ore këta janë vrasës. Për një arsye se këta janë mjekë dhe e dinë shumë mirë.
Kur thyhet protokolli, e dinë çfarë ndodh. E dinë që kur nuk bëhet brakiterapia, e dinë çfarë ndodh. E dinë që kur nuk bëhet pet skani, e dinë çfarë ndodh. E ka tre muaj që brakiterapia është prishur në QSUT. në spitalin onkologjik. Tre muaj që gratë të cilat vuajnë nga kanceri gjinekologjik nuk trajtohen. Janë gra, histori të vërteta që bëjnë kimio, e bëjnë rreze dhe kur vjen pastaj situata për tek brakiterapia”.