Ballina Ekonomia 2 milionë euro shtesë për bashkitë nga taksat e qytetarëve, ja si...

2 milionë euro shtesë për bashkitë nga taksat e qytetarëve, ja si do të përdoren fondet

76
0

Qeveria ka akorduar një buxhet të konsiderueshëm për pushtetin vendor me ndryshimet në buxhet të bëra së fundmi, përmes aktit normativ. Kjo për shkak se një pjesë e madhe e bashkive vijojnë të kenë probleme financiare.

Kështu, referuar aktit normativ, bashkive do ti shkojnë 2 milionë euro të pjesës së taksave të ndara që i transferohen buxhetit vendor, si rrjedhojë e realizimit të lartë të tatimit mbi të ardhurat personale.

Kjo do të sjellë më shumë financim për buxhetin vendor, për të mundësuar ofrimin e më shumë shërbimeve publike për qytetarët.

Po ashtu, është rritur me rreth 1.5 milionë euro transferta e pakushtëzuar sektoriale për funksionin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, për të mbështetur bashkitë për dhënien e shpërblimit të punonjësve të angazhuar në shuarjen e zjarreve gjatë muajve të verës. Kështu, 16 bashkive në të cilat ka pasur intensitet të lartë dhe kohëzgjatje të zjarreve, iu akordohen fonde për dy paga shpërblim dhe bashkive të tjera u akordohen fonde për një pagë shpërblim për punonjësit e mbrojtjes nga zjarri. Në këtë mbështetje buxhetore nuk është përfshirë Bashkia Tiranë, për arsye se kjo bashki ka potenciale të mëdha fiskale për të gjeneruar të ardhura nga taksat dhe tarifat vendore. Të ardhurat e Bashkisë Tiranë në tri vitet e fundit zënë mesatarisht rreth 58% të totalit të të ardhurave të 61 bashkive të vendit.

Qeveria ka vendosur gjithashtu rritjen me rreth 750 mijë euro si transfertë e pakushtëzuar e përgjithshme për mbulimin e shpenzimeve të veprimtarive dhe të funksioneve për disa bashki që nuk kanë realizuar mjaftueshëm nivelin e të ardhurave, për të mos cenuar ofrimin e shërbimeve publike të domosdoshme.

Po ashtu  440 mijë euro shkojnë si transfertë e pakushtëzuar sektoriale për funksionet:  arsim parashkollor;  mbrojtje nga zjarri dhe shpëtimi. Këto fonde shtohen për disa bashki, në funksion të plotësimit të standardeve kombëtare për këto shërbime.

Nga ana tjetër janë pakësuar fondet në masën 4.7 millionë euro të financimit të huaj vendor për shkak të mosrealizimit të plotë deri në këtë periudhë.