Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj asaj që ai e cilëson si ‘mega-aferën korruptive’ të koncesionit të Aeroportit të Vlorës. Bardhi akuzon Belinda Balluku për një skemë fiktive dhe të dokumentuar zyrtarisht, që sipas tij u ndërtua për të favorizuar kompani pa përvojë në kundërshtim me ligjin. Ai e cilëson procesin një krim të shkruar në letra, ku në çdo hap del në pah emri i Ballukut dhe bekimi politik i kryeministrit Edi Rama. Bardhi kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga SPAK, duke thënë se dosja nuk kërkon as hetim kompleks, por vetëm vullnet për drejtësi.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Mega-afera e koncesionit të Aeroportit të Vlorës është provuar me dokumente shtetërore si një procedurë fiktive, me kompani fiktive dhe me veprime të kryera hapur në mashtrim të ligjit. Në çdo faqe të kësaj skeme shfaqet i njëjti emër: Belinda Balluku.
• Pak histori për shumë korrupsion
Dokumentacioni zyrtar i procedurës tregon qartë se kompanitë Mabco Construction dhe 2A Group nuk plotësonin kriteret ligjore për të fituar koncesionin e Aeroportit të Vlorës. Për këtë arsye, gjatë aplikimit, ato futën në mënyrë fiktive në konsorcium kompaninë turke YDA Group, e vetmja me eksperiencë reale në ndërtimin e aeroporteve.
Por vetëm një vit pas shpalljes fitues, YDA Group u tërhoq nga zotërimi i 40% të aksioneve. Aksionet u shitën tek njëra nga kompanitë koncesionare për shumën qesharake prej 4 450 euro. Pra, 40% e një aeroporti ndërkombëtar, me fitime të parashikuara mbi 700 milionë euro, u vlerësuan sa një makinë e vjetër e përdorur! Në çdo shtet normal, ky akt do të kishte anuluar automatikisht koncesionin. Por në Shqipërinë e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, nuk ka asgjë normale – ka vetëm korrupsion, vjedhje dhe zhvatje.
• Një krim i shkruar në letra
Ministrja përgjegjëse për koncesionin e Aeroportit të Vlorës, Belinda Balluku, miratoi tërheqjen e kompanisë turke pa bërë asnjë zhurmë, pa ngritur asnjë shqetësim dhe duke pranuar zyrtarisht fiktivitetin e gjithë procedurës. Vetëm dikush i përfshirë që në nisje në skemën korruptive mund të heshtë në një situatë kaq flagrante fiktiviteti.
Do të mjaftonte vetëm publikimi i shkresës, ku Belinda Balluku lejon transferimin e aksioneve dhe pranon zyrtarisht fiktivitetin e procedurës, që sot SPAK të kishte shkuar në zyrën e saj për ta nxjerrë prej aty dhe për ta mbyllur në Pjoskë.
Ky krim nuk është edhe aq intelektual sa t’i shpenzojë SPAK-ut shumë kohë për ta hetuar. Procedura fiktive është në letra. Në letra janë edhe lidhjet familjare të Belinda Ballukut me njërën prej kompanive koncesionare. Krimi është njësoj flagrant si afera tjetër e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut me 53 milionët eurot PLUS të Tunelit të Llogarasë. Edhe ky një krim aspak intelektual, por dosja e të cilit qëndron ende e paprekur në SPAK.
Faktet janë publike, dokumentet ekzistojnë. Çështja është se na duhen prokurorë që nuk kanë vija të kuqe të paracaktuara për pandëshkueshmërinë apo prokurorë që nuk intimidohen nga krimi i organizuar. Kjo mbetet ende për t’u provuar!