Mbretëria e Bashkuar ka mbyllur njëherë e mirë kufijtë për migrimin e paligjshëm drejt vendeve të saj duke sanksionuar bandat që shfrytëzojnë rrugën e Ballkanit Perëndimor dhe financuesit që furnizojnë me pajisje për anije të vogla.
Sanksionet përfshijnë të gjitha bandat kriminale me bazë në Ballkan të përfshira në shitjen e pasaportave të falsifikuara dhe një rrjet financiar në hije që furnizon motorë anijesh të vogla.
Anëtarët e bandave dhe financuesit e fshehtë që mundësojnë tregtinë e neveritshme të kontrabandës së njerëzve, përfshirë një rrjet falsifikimi të pasaportave të Kosovës, janë ndaluar të udhëtojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe janë ngrirë nga sistemi financiar i Mbretërisë së Bashkuar, si pjesë e goditjes së qeverisë ndaj bandave që shfrytëzojnë një rrugë kyçe tranziti për migrim të paligjshëm.
Sanksionet e sotme kufizojnë aftësinë e tyre për të lehtësuar kontrabandën e njerëzve drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe demonstrojnë vendosmërinë e qeverisë për të demaskuar publikisht këdo që mbështet tregtinë e neveritshme të njerëzve, në cilindo vend që ndodhen.
Vendimi është bërë me dije ditën e sotme, teksa në Londër po mbahej samiti i radhës i Procesit të Berlinit, i cili ka mbledhur 6 liderët e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar bashkëpunimin rajonal, migracionin e paligjshëm, sigurinë evropiane dhe zhvillimin ekonomik. I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në kryeqytetin britanik që prej ditës së djeshme, ku ka marrë pjesë edhe në disa forurime të rëndësishme.
“Ekziston një rrugë kriminale përmes Ballkanit Perëndimor që sjell emigrantë të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe ne jemi të vendosur ta mbyllim atë duke bashkëpunuar me partnerët evropianë. Përpjekjet tona të përbashkëta kanë përgjysmuar tashmë kalimet e parregullta kufitare dhe kanë ulur mbërritjet e anijeve të vogla nga Shqipëria me 95%. Përmes një Task Force të re të Përbashkët për Migracionin, dronëve britanikë dhe sanksioneve më të ashpra, ne po i ndjekim bandat e kontrabandës në çdo fazë për t’i nxjerrë ato nga biznesi dhe për të ofruar siguri për njerëzit që punojnë”, tha Keir Starmer.
Ndër të tjera, Sekretarja e Jashtme, Yvette Cooper tha se Ballkani Perëndimor tashmë është rruga kryesore që ndiqet nga emigrantët e paligjshëm dhe se sanksionet janë e vetmja mënyrë për t’i ndaluar.
“Ballkani Perëndimor është një rrugë kryesore tranziti për bandat e pamëshirshme të kontrabandës së njerëzve që tregtojnë vuajtje njerëzore. Regjimi ynë i sanksioneve, lider në botë, është një mjet thelbësor në ndjekjen e bandave që veprojnë përtej kufijve tanë dhe në ekspozimin e rrjeteve të fshehta që i mbështesin ato. Duke punuar së bashku me partnerët tanë në rajon, ne po ndërmarrim veprime vendimtare për të siguruar kufijtë tanë dhe për t’u bërë më të fortë këtu në vend.
Sanksionet e sotme janë hapi më i fundit në një goditje nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe partnerët e saj kundër rrjeteve kriminale që nxisin migrimin e paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar. Këto veprime kanë bërë që numri i migrantëve të regjistruar nga Frontex teksa kalojnë tranzit nëpër Ballkanin Perëndimor të bjerë nga mbi 140,000 në vitin 2022 në pak mbi 21,000 në vitin 2024”, tha ajo.