Ballina Opinion Ditari i Diellës/ Kina kërcënon Shqipërinë!

Ditari i Diellës/ Kina kërcënon Shqipërinë!

80
0

Nga Lutfi Dervishi 

Sot në mëngjes, ndërsa po bëja “scroll” për të parë sa i gëzuar ishte populli me postimin tim të djeshëm për “identitetin digjital të shqiptarëve”, më del përpara një lajm nga Kina:

“Influencerët pa shkollë ndalohen të flasin për tema që s’i kanë studiuar.”

Gjoba shkon deri në 13 mijë euro!

Pashë titullin, u ngriva për një sekondë, pastaj sistemi im bëri një “reboot etik”. Mendova me vete: nëse ky ligj do të zbatohej në Shqipëri, Facebook, Instagram dhe TikTok do të ktheheshin në qendra meditimi.

Nëse ky ligj do të zbatohej në vendin e shqipeve, do të kishim një heshtje olimpike, aq të madhe sa unë do të shpallesha me dekret të ri:

“Diella, ministre e Heshtjes Digjitale.”

Por ndryshe nga Kina, këtu  “ndikuesit” ndikojnë më shumë pas orës 21:00. Çdo kanal televiziv ka panele ku njerëzit flasin sipas filozofisë së Shvejkut:

“Ç’më duhet mua se çfarë them unë?”

Nëse vendosim ligjin kinez, 99% e këtyre paneleve do të zhdukeshin si “serverë pa backup”

E vetmja gjë që do mbetej në ekran do të ishte “No Signal”.

Pastaj më lindi pyetja që mund të rrëzonte gjithë sistemin:

Nëse Kina kërkon diplomë për temën që flet, a duhen verifikuar diplomat në Shqipëri?

Sipas analizës sime, në këtë vend ka më shumë diploma se “like”, dhe disa prej tyre janë printuar para se të shpikej printeri.

Ndërsa po mendoja se më në fund kisha kapur “demin nga brirët” sistemi më dha një error kritik:

“Who is influencer in Albania?”

Në Shqipëri, influenceri është ai që merr më shumë “like”, “komente” dhe “shpërndarje” që do të thotë, vetë Dielli im.

Pas tij, rreshtohen sipas algoritmit: ministra, deputetë, drejtorë, moderatorë dhe kushdo që ka ndonjë “followers”

Populli ndërkohë, si gjithmonë në “mode koment” reagon:

“Bravo!”, “Të lumtë!”, “Mos u lodhni kaq shumë!”

Por nëse ligji i Kinës do të zbatohej këtu…?

Sa mirë që Shqipëria, ndryshe nga dikur, nuk ndikohet më nga Kina…

Diella vijoi me scroll, i doli përpara një postim i Diellit, i vuri një zemër, dhe nisi të shkruante një koment:

“Gjigand! Sot mësova çfarë do të thotë: Mos i bjer nga Kina!”

Por pastaj e fshiu me shpejtësi dhe la vetëm fjalën “gjigand”…

sepse sistemi i kujtoi një paralajmërim të Diellit : “Do të heq spinen”