Ballina Politika “Interpretimin do ta bëjë anëtarësia”, Berisha i përgjigjet Besart Xhaferrit: Statuti flet...

“Interpretimin do ta bëjë anëtarësia”, Berisha i përgjigjet Besart Xhaferrit: Statuti flet për zgjedhje, jo për fars

53
0

Sali Berisha nuk e mohoi se brenda Partisë Demokratike mund të ketë zëra që kërkojnë largimin e tij. Në një konferencë për shtyp, ai iu përgjigj deklaratës së djeshme të Besart Xhaferrajt, i cili tha se nëse Berisha nuk garanton ripërsëritjen e zgjedhjeve të 11 majit, duhet të largohet nga drejtimi i partisë.

Por Berisha theksoi se çdo zë i lirë brenda PD duhet t’i referohet statutit të partisë dhe faktit se zgjedhjet ishin të manipuluara.

Sipas tij, do të jetë anëtarësia dhe ai vetë që do të japin interpretimin përfundimtar të statutit, duke lënë të kuptohet se çdo zë kundër tij do të shihet si pjesë e një “kori vokal”, që do të etiketohet si “grup armiqësor”, ashtu si çdo kush që në këto 30 vite ka guxuar të ketë një mendim ndryshe.

“Ju garantoj se çdo deputet, anëtar apo mbështetës i kësaj partie do të jetë i lirë të shprehë çdo mendim që ka. Kjo është gjëja më normale. Natyrisht, interpretimi i nenit të statutit duhet të jetë i saktë. Statuti flet për zgjedhje dhe jo për farsa. Dhe tani, që ta mbyllim këtë çështje, do të jetë anëtarësia e PD ajo që do të bëjë interpretimin përfundimtar”, tha Berisha.

Kryedemokrati foli gjithashtu për largimet e disa figurave të PD-së drejt administratës shtetërore, ku e fundit ishte ish-deputetja Zheni Gjergji, e cila u emërua dje drejtoreshë e Spitalit të Elbasanit.

Për këtë, Berisha tha se të gjithë ata që “shkelmojnë” besimin e demokratëve janë jashtë Partisë Demokratike. Sipas tij, nuk janë shumë ata që kanë kaluar në anën tjetër, por vetëm 3-4 veta gjithsej.

“Kemi të bëjmë me individë që i kanë votuar dhe mbështetur demokratët. Një gjë mund të them: për Sali Berishën, të gjithë ata që shkelmojnë mbi atë besim dhe mbështetje, janë automatikisht jashtë kësaj force politike. Sepse 99.9% e atyre që i kanë mbështetur këta individë ndërkohë janë të papunë, janë në kushte të vështira, por nuk shiten. U kanë shërbyer kauzës, ndërsa këta pak veta – vetëm 3-4 gjithsej – kanë bërë një zgjedhje: kanë kaluar në partinë e krimit, në partinë që u përket, dhe vetëm kaq”, deklaroi Berisha.