Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen mbretërore të organizuar nga Madhëria e Tij, Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, me rastin e Samitit të Procesit të Berlinit që po zhvillohet në Londër.
Pritja u mbajt në pallatin “St James’s Palace” dhe mblodhi krerët e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer.
Gjatë kësaj mbrëmjeje solemne, Kryeministri Kurti pati mundësinë të bisedojë me Madhërinë e Tij, Mbretin Charles III, me kryeministrin britanik Starmer, si dhe me liderë të tjerë pjesëmarrës, duke theksuar marrëdhëniet e ngushta dhe miqësinë e veçantë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar – marrëdhënie të ndërtuara mbi vlerat e përbashkëta të demokracisë, lirisë dhe barazisë.