Tori Agolli, ish-truproja i kryeministrit Fatos Nano, ishte i ftuar ditën e sotme në “Studio Live” me Ermal Qorin në Report Tv.
Ai foli edhe për kryengritjen e armatosur të 14 shtatorit 1998, ku u sulmuan disa prej institucioneve të shtetit si Kryeministria, RTSH, Gjykata Kushtetuese, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Kulturës apo Kuvendi.
Ish-truproja tregoi se përse Fatos Nano, kryeministër në atë kohë, u largua nga vendi, drejt Strugës.
“Për hir të së vërtetës ka qenë 14–15 shtatori i vitit 1998. Për ca arsye që nuk dua t’i them, në ato kohë më bënë një puç, më larguan nga grupi i Nanos. Shokët e mi ishin… Fatos Nano ka ikur, ka ikur në një vilë në Strugë. Iku se në të gjitha vendet e botës ka vendstrehime për qeveritarë të nivelit të lartë, këtu nuk kishte, se ishin shkatërruar. Ka ikur më datë 14, ka ardhur më 15 në orën 2”,- tha Agolli.
Teksa përsëriste lutjet e përzemërta për shërimin e Nanos, i cili prej 2 javësh ndodhet i shtruar në reaminacion në gjendje të rëndë shëndetësore, Agolli tha se për kujdesin e tij, në vend ka ardhur dhe një ekip mjekësh nga Italia.
“Ju bëj thirrje edhe juve si studio, edhe gjithë studiove të tjera dhe atyre që shkruajnë: njeriu është njeri, edhe ai që është kryeministër, edhe ai që nuk di të shkruajë. Të shkruash që ndërron jetë pa ndërrar jetë është skandal. Fatos Nano pësoi një atak kardiak respirator, u shtrua në një spital privat, nën kujdesin e mjekëve dhe një grupi tjetër mjekësh italianë. Nga burimet e mia shëndeti shanset janë se do të zgjohet”,- tha Agolli.
Ai kujtoi me admirim marrëdhëniet e shkëlqyera të ish-kryeministrit me ndërkombëtarët.
“Me Berlusconin dhe Tayyip Erdoğanin kanë qenë miq të ngushtë. Berlusconi dhe Fatos Nano kanë qenë jo vetëm në finalen e Milanit me Liverpoolin, por edhe te dasma e djalit të Erdoğanit. Angela Merkel fliste me superlativa për Fatos Nanon”,- tha ndër të tjera ish-truproja.
Po ashtu, ai solli në vëmendje faktin që Nano ishte një poliglot i jashtëzakonshëm, pasi zotëronte shumë mirë 6 gjuhë të huaja.
“Ishte në kongresin e socialdemokratëve malazezë dhe gjatë fjalimit që po mbante Nano, përkthyesi që ishte malazez nuk dinte të përkthente çfarë po thoshte Nano, dhe ai i tha: “Mos u shqetëso” dhe filloi ta përkthente vetë”,- tha ish-truproja.