Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ekziston mundësia që Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, të dështojë në formimin e Qeverisë së re. Kurti gjatë një takimi me diasporën në Londër, ka thënë se është duke biseduar me partitë e tjera, por sipas tij, “ka shumë xhelozi, inat e cinizëm”. “Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë.
Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, u shpreh Kurti. Ai ka thënë se në këto ditët e mbetura janë “duke komunikuar”, duke potencuar se nuk do t’i ndalojnë përpjekjet për të formuar qeverinë. Kanë kaluar plot një javë prej kur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nënshkroi dekretin që i jep mandat Albin Kurtit për të formuar Qeverinë e re. Që nga ajo kohë deri më sot, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje – partia e cila doli e para në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, nuk ka ndërmarrë asnjë hap për formimin e institucioneve të reja. Mandatari ka 15 ditë kohë për të dorëzuar përbërjen e Qeverisë dhe për të kërkuar miratimin e saj nga Kuvendi.
Qeveria e propozuar duhet të sigurojë të paktën 61 vota nga 120 deputetë për t’u miratuar. Në rast se nuk arrihet kjo shumicë, presidentja Osmani ka detyrimin brenda dhjetë ditësh të zhvillojë konsultime të reja me partitë dhe të vendosë për mandatarin me gjasat më të mëdha për formimin e Qeverisë. Mandatari ka pastaj edhe 15 ditë të tjera për të dorëzuar përbërjen e re të kabinetit. Nëse Qeveria nuk mund të formohet, Kushtetuta kërkon shpalljen e zgjedhjeve të reja brenda 40 ditësh.