Ballina Kronika Lezhë/ Konfiskohen 7 pasuri me sipërfaqe mbi 15 mijë m² me urdhër...

Lezhë/ Konfiskohen 7 pasuri me sipërfaqe mbi 15 mijë m² me urdhër të GJKKO, dyshohet se u përfituan nga veprimtari kriminale

105
0

Në kuadër të zbatimit të vendimeve të formës së prerë të Gjykatës së Posaçme, janë konfiskuar 7 pasuri të paluajtshme në qarkun e Lezhës, me një sipërfaqe totale prej 15,028 metrash katrorë. Pasuritë janë të kategorisë “Arë” dhe ndodhen në bregun e lumit Drin dhe në fshatin Ishull Shëngjin.

Konfiskimi është kryer nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Lezhë, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, dhe vjen në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO) të vitit 2021, të lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në vitin 2022.

Sipas autoriteteve, këto pasuri dyshohen se janë përfituar përmes veprimtarive kriminale, ndaj janë vendosur në dispozicion të shtetit.

Nga 7 parcelat e konfiskuara, 2 ndodhen në bregun e lumit Drin, një zonë me potencial të lartë zhvillimi, ndërsa 5 të tjera në Ishull Shëngjin, një zonë bregdetare gjithashtu e vlerësuar për interes turistik dhe ekonomik.