Një person goditi me automjet një portë jashtë Shtëpisë së Bardhë të martën në mbrëmje, ka raportuar Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidenti Donald Trump ishte brenda Shtëpisë së Bardhë në kohën e incidentit, raporton New York Times.
“Rreth orës 10:37 p.m., një individ drejtoi një automjet drejt portës së automjeteve të Shërbimit Sekret, e vendosur në 17th & E St, NW”, tha Shërbimi Sekret në X.
Agjencia e zbatimit të ligjit, e cila është përgjegjëse për mbrojtjen e presidentit, shtoi se drejtuesi i automjetit u “arrestua dhe automjeti u inspektua dhe u konsiderua i sigurt”.
“Hetimi ynë mbi shkaqet e këtij përplasjeje është në vazhdim”, tha Shërbimi Sekret, pa dhënë detaje të mëtejshme për personin e arrestuar, llojin e automjetit ose një motiv të mundshëm.