Brenda këtij viti do të hidhet për Konsultim Publik, projektligji që do të lejojë përdorimin e kriptovalutave edhe në Shqipëri. Pavarësisht se eksplorimi i parasë digjitale duke blerë e shitur kriptomonedha nuk është më tabu për shqiptarët, pasi ekspertët pohojnë se janë gati 100 mijë portofole digjitale që disponohen nga shtetas shqiptar, në Shqipëri ende nuk është i lejuar ky aktivitet.
Për të ligjëruar këtë proces, drejtuesja e AMF-së Mimoza Kaçi, tha se grupi i punës e ka gati draftin e parë edhe për këtë aktivitet, gjatë raportimin në Komisionin e Ekonomisë për raportin e vitit 2024.
“Ju duhet të keni prioritet kriptovalutat, janë burim për pastrimin e parave. Cfarë po bëni ju?”, deputeti i PD-së Eno Bozdo.
“Kemi punuar për draftimin e ligjit, jemi në një grup pune të përfshira AMF, BSH, Ministria e Ekonomisë. Kemi përgatitur një draft i parë, po diskutohet në grupin e punës dhe deri në fund të vitit mendohet që ne të publikojmë draftin”.
Mungesa e një ligji që rregullon këtë treg u ngrit si shqetësim edhe nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, gjatë raportimit në komisionin parlamentar pak ditë më parë ku tha se janë sekuestruar 11 milionë euro kriptomonedha gjatë vitit 2024, por Shqipëria nuk ka një portofol digjital për ti ruajtur.