Ballina Bota Pekini akuzon Australinë për shkelje të hapësirës ajrore mbi Detin e Jugut...

Pekini akuzon Australinë për shkelje të hapësirës ajrore mbi Detin e Jugut të Kinës

68
0

Marrëdhëniet mes Kinës dhe Australisë janë tensionuar sërish pas një incidenti ajror mbi Detin e Jugut të Kinës.

Kina akuzon Australinë se ka shkelur hapësirën e saj ajrore dhe se po përpiqet ta fshehë këtë veprim, ndërsa Australia pretendon se një avion luftarak kinez ka vepruar në mënyrë të rrezikshme ndaj një avioni të saj.

Ministria e Mbrojtjes e Kinës deklaroi të martën se ka paraqitur një ankesë zyrtare ndaj Australisë për një “shkelje të paligjshme” të hapësirës ajrore kineze nga forcat ajrore australiane. Zëdhënësi Jiang Bin tha se Australia po përpiqet të “fshehë të vërtetën” dhe i bëri thirrje Canberrës të kontrollojë veprimet ushtarake të saj në rajon.

Deklarata vjen një ditë pasi Australia akuzoi Kinën për një incident të ndodhur të dielën, ku një avion luftarak kinez ka lëshuar flakadanë pranë një avioni zbulues australian gjatë një patrullimi detar rutinë në Detin e Jugut të Kinës. Australia e përshkroi incidentin si “të pasigurt dhe joprofesional”.

Sipas Canberrës, aktiviteti i saj është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ndërsa Pekini pretendon se ngjarja ka ndodhur mbi ishujt Xisha, të cilët Kina i konsideron pjesë të provincës së saj Hainan. Por këta ishuj gjithashtu pretendohen edhe nga Vietnami dhe Tajvani.

Kjo nuk është hera e parë që ndodhin përplasje të tilla, një incident i ngjashëm ndodhi edhe në shkurt të këtij viti.

Deti i Jugut të Kinës mbetet një zonë e nxehtë e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare, ku Kina pretendon pothuajse të gjithë territorin, ndonëse një gjykatë ndërkombëtare në Hagë në vitin 2016 e hodhi poshtë këtë pretendim si të pabazë ligjore.