Ballina Politika “Shpenzimet tuaja janë rritur me 40%”, Tabaku: Pa vizion, shteti po mbyt...

“Shpenzimet tuaja janë rritur me 40%”, Tabaku: Pa vizion, shteti po mbyt konkurrencën në tregun e sigurimeve

82
0

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, ngriti sot një sërë shqetësimesh gjatë seancës dëgjimore me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF), duke akuzuar institucionin për mungesë transparence, strategjie dhe performancë reale në tregun financiar.
“Kam vite që dëgjoj raporte të AMF, por drejtuesja e Autoritetit nuk ka asnjë informacion për problemet e institucionit që drejton. Pas tre vitesh që na thuhet se po punohet për projektligjin e ri që është dhe kriter i BE-së sot sërish nuk kemi asgjë konkrete. Çfarë bën AMF përveçse mbikëqyr kuadrin e vet?”, u shpreh Tabaku.

Ajo theksoi se tregu i sigurimeve vazhdon të mbetet i mbyllur dhe pa konkurrencë reale.
“Shqetësimet janë të njëjta çdo vit. A janë ulur barrierat për operatorët e rinj? A ka strategji për zhvillimin e tregut? Çfarë po bëhet për të zhvilluar instrumente të reja sigurimesh dhe për t’u fokusuar te konsumatori?” ngriti pyetje znj Tabaku.
Sipas deputetes demokrate, shteti është kthyer në operatorin më të madh që ka mbytur konkurrencën, ndërkohë që raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) tregojnë rënie alarmante të të ardhurave nga gjobat me 40% dhe shkelje serioze në menaxhim.
“KLSH ka evidentuar shkelje në raportimet financiare, ndërsa vetë AMF vazhdon të operojë pa transparencë. Treguesit e kompanive nuk janë publikë, faqja e internetit nuk ofron asnjë informacion, ndërkohë që kompensimi i tregut kapital ende nuk është implementuar,” theksoi ajo.
Deputetja demokrate ngriti edhe çështjen e përbërjes së bordit të AMF, duke akuzuar shumicën për shkelje të ekuilibrave institucionalë.
“Znj. Merita Gurabardhi është emëruar në vendin që i takonte opozitës, por sot mandati i saj është ndërprerë në mënyrë të paligjshme. Me çfarë vendimi ndërpritet një mandat të votuar nga Parlamenti? Po mandati i znj. Kaçi, është ky mandati i tretë? Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje”, tha ajo,

Në përfundim, Tabaku vuri në dukje edhe abuzimet me pagat dhe shpërblimet në institucion, ku theksoi se shpenzimet janë rritur me 40% ndërsa janë shtuar vetëm 5 punonjës.
“Si është e mundur që shpenzimet janë rritur me 40% ndërsa janë shtuar vetëm 5 punonjës? Dhe si mund të ketë një drejtor ekzekutiv pagë 700 mijë lekë në muaj? Kjo tregon mungesë totale përgjegjshmërie dhe llogaridhënieje”, u shpreh ajo, ndërsa e përmbylli duke kërkuar reforma të vërteta dhe vizion për tregun financiar.
“AMF duhet të jetë garant i konkurrencës dhe zhvillimit të tregut, jo një institucion që mbron status quo-në. Shqipëria ka nevojë për një treg të hapur, inovativ dhe të fokusuar tek konsumatori jo për një sistem të kapur nga shteti”, deklaroi Tabaku.