Një familje shqiptare shpenzon mesatarisht 7 mijë lekë ose 70 euro në muaj për dalje në restorante apo për qëndrime në hotele, sipas të dhënave më të fundit mbi strukturën e shpenzimeve familjare. Kjo shumë përfaqëson 7.6 % të totalit të buxhetit mujor, që mesatarisht arrin në 93 mijë lekë.
Në përllogaritje vjetore, çdo familje në Shqipëri shpenzon rreth 84,800 lekë, ose rreth 850 euro, ne hotele dhe restorante. Duke marrë parasysh se në vend ka rreth 755 mijë familje, rezulton që shqiptarët shpenzojnë gjithsej 63.6 miliardë lekë në vit, ose afro 636 milionë euro, për konsum në restorante dhe hotele.
Kjo shifër tregon rritje të ndjeshme të peshës që zë grupi “Restorante dhe hotele” në shpenzimet e familjeve shqiptare, krahasuar me disa vite më parë kur ajo luhatej rreth 4-5 %. Tendenca duket se lidhet me rritjen e çmimeve në sektorin e gastronomisë dhe turizmit, por edhe me ndryshimet në stilin e jetesës, ku gjithnjë e më shumë familje zgjedhin të darkojnë jashtë shtëpisë ose të kalojnë fundjava në hotele brenda vendit.
Ekonomistët vlerësojnë se këto shpenzime përbëjnë një tregues të qartë të rritjes së konsumit të brendshëm, por paralajmërojnë se rritja e çmimeve në sektorin e shërbimeve po ndikon drejtpërdrejt në buxhetet familjare.
Megjithatë, për turizmin dhe bizneset e lidhura me të, ky zhvillim përfaqëson një burim të rëndësishëm të ardhurash. Viti 2025 pritet ta forcojë më tej këtë tendencë, me rritjen e kërkesës për shërbime hotelerie dhe gastronomike, veçanërisht në zonat bregdetare dhe qytetet turistike./ Scan