Shtëpia e Bardhë ka mohuar raportimet e TMZ që presidenti amerikan Donald Trump mund t’i zbusë P.Diddyt dënimin.
“Nuk ka asnjë të vërtetë në raportimin e TMZ-s, gjë që do ta kishim sqaruar me kënaqësi po të na kishin kontaktuar para se të publikonin lajmin e tyre të rremë”, thuhej në një deklaratë të administratës, raporton Page Six.
“Presidenti — dhe jo burime anonime — është vendimmarrësi përfundimtar për faljet dhe zbutjet e dënimeve”.
TMZ, në një raport të publikuar të hënën, pretendonte se kishte dëgjuar nga burime se “një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë” kishte thënë se Trump “po e shqyrton mundësinë për t’ia zbutur dënimin Diddyt që këtë javë”.
Diddy, emri i vërtetë i të cilit është Sean Combs, nuk ka bërë zyrtarisht kërkesë për falje në Departamentin e Drejtësisë, sipas informacioneve të The Post, por përfaqësuesit e tij kanë shprehur jozyrtarisht interes për një lirim të parakohshëm, pasi ai u dënua më herët këtë muaj me katër vjet e dy muaj burg për dy akuza që lidhen me prostitucionin.