Ballina Opinion Të vritesh për një kafe!

Të vritesh për një kafe!

62
0

Nga Ermal Peçi

E shkruaj këtë shkrim jo vetëm si gazetar, por edhe si një djal që ka studiuar sociologji, si qytetar që përpiqet të kuptojë jo thjesht çfarë ndodh, por pse ndodh. Sot, pas ngjarjes tragjike në Manëz, ku dy të rinj humbën jetën për një arsye absurde, sepse dikush kishte fikur ekspresin, pyetja që më vjen natyrshëm është: si mund të jetë kaq e lirë jeta në këtë vend? Si mund të zhvlerësohet kaq lehtë gjëja më e shenjtë që kemi?

Në Shqipërinë e vitit 2025, duket sikur jeta nuk ka më peshë. Vritemi për një vend parkimi, për një fjalë në rrugë, për një status në rrjete sociale, për një kafe. Një klikim, një debat, një xhelozi, dhe gjithçka mbyllet me gjak. Jeta njerëzore është bërë shifër në kronikën e mbrëmjes, thjesht një lajm që zgjat pesë sekonda në ekran. Nuk tronditet askush më. Nuk befasohet askush më. Kemi hyrë në një gjendje të ftohtë shoqërore, ku dhuna është bërë pjesë e zakonshme e realitetit tonë.

Në thelb, kjo nuk është thjesht krizë kriminaliteti, është krizë vlerash. Ne kemi prodhuar një realitet ku njeriu nuk ka më ndjesi përgjegjësie për jetën, as për të vetën e as për të tjerët. Kemi rritur breza që s’e njohin ndjeshmërinë, që nuk kanë më frikë nga ligji, që nuk njohin respektin ndaj tjetrit. Kemi normalizuar dhunën, sharjen, poshtërimin dhe arrogancën, në politikë, në rrjete, në shkolla, në familje. Kur çdo ditë e ushqen këtë klimë, fundi është i parashikueshëm: një shoqëri që e humb kuptimin e jetës.

Pse nuk ka më vlerë jeta në Shqipëri? Prej vitesh ajo nuk ka as dinjitet. Një vend që nuk të siguron punë, drejtësi, shpresë apo dinjitet, të mëson pa dashje ta shohësh jetën si të pavlerë. Kur çdo ditë ndihesh i përbuzur, i pavlerësuar, i pasigurt, jeta e tjetrit nuk ka më kuptim as për ty. Kështu nis degradimi. Nga shpërfillja te dhuna, nga dhuna te krimi.

Në Manëz, sot, u shua jeta për një arsye qesharake. Por pas asaj ngjarjeje qëndron një shoqëri që ka humbur ekuilibrin. Një shoqëri që nuk e njeh më kufirin mes debatit dhe krimit, mes nervit dhe krimit, mes njeriut dhe bishës.

E gjithë kjo na çon drejt një pyetjeje të rëndë: a jemi bërë popull që s’e do më jetën? Një vend që të vret për një kafe, nuk ka më problem as varfërinë, as korrupsionin, as papunësinë,problemi është moral, është shpirtëror dhe është i përbashkët.

Nëse nuk rikthejmë respektin për jetën, çdo ligj, çdo reformë, çdo politikë është e kotë.
Shoqëria nuk mbahet me armë, por me ndërgjegje.