Ballina Rajoni ​Arrestohet në Beograd arbitri i dyshuar për lidhje me rrjet kriminal

​Arrestohet në Beograd arbitri i dyshuar për lidhje me rrjet kriminal

93
0

Arbitri i njohur i Euroligës, Uros Nikoliç, është arrestuar në Beograd gjatë një operacioni të madh ndërkombëtar policor që çoi në prangosjen e dhjetë personave të tjerë.

Sipas mediave serbe, gjatë kontrollit në banesën e tij, policia ka gjetur 250 mijë dollarë në para të gatshme dhe disa shufra ari, ndërsa dyshohet se Nikoliç ka lidhje me klanin kriminal “Vračarci”, një grup i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale, përfshirë dy vrasje dhe tre tentativa vrasjeje në vitet e fundit.

Nikoliç, i cili ka arbitruar në nivelin më të lartë të basketbollit evropian, ka qenë shpesh në qendër të polemikave. Sezonin e kaluar ai drejtoi ndeshjen mes Olimpia Milano dhe Olympiacos, ku u akuzua për vendime të dyshimta që ndezën debatet në arenën sportive.

Kujtojmë se në vitin 2021, Ylli i Kuq i Beogradit e kishte akuzuar Nikoliçin për shkatërrimin e dhomës së zhveshjes pas një ndeshjeje me tensione të larta.

Hetimet për përfshirjen e tij në rrjetin kriminal janë ende në zhvillim, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se priten edhe arrestime të tjera.