Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi se 6 kilometrat e parë të autostradës Tiranë-Durrës do të hapen për qarkullim brenda muajit dhjetor të këtij viti.
“Ndodhemi në një nga kantieret që po ecin më mirë për të thënë të drejtën, në të gjithë Shqipërinë, që është kantieri i autostradës Tiranë-Durrës. Ndodhemi në fazën e dytë të këtij kantieri. Faza e parë ka një ecuri të mirë të qëndrueshme 65% ndërkohë që faza e dytë ka 80% ecuri. Tashmë autostrada Tiranë-Durrës, në 6 km e parë, duke nisur nga Casa Italia, dhe deri në mbikalimin e Kasharit kthehet në një autostradë të tipit A, me një kurorë prej 32.5 m gjerësi. Kemi tre korsi nga të dyja krahët plus një korsi emergjence që e bën me 4 korsi nga të dyja krahët. Ecuria e projektit është shumë e mirë. Pra, faza e parë është 65% ecuria dhe në fazën e dytë 85%. Domethënë ne shpresojmë që për festat e fundvitit ta kemi dorëzuar, pavarësisht se afati kontraktual është shtatori i vitit 2026″, -u shpreh Balluku.
Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se ka nisur përgatitjet edhe për për gjelbërimin si dhe arredimin urban të kësaj autostrade. Ndërkohë Balluku tha se do të ndryshohet edhe arredimi brenda tuneleve të “Shqiponjës” duke qenë se është hyrja kryesore e Tiranës.
6 kilometrat e parë të autostradës Tiranë-Durrës po ndërtohen nga dy bashkime kompanish. 3 kilometrat e parë ndërtohen nga bashkimi i kompanive Bami shpk-Curri shpk, ndërsa 3 kilometrat e dytë nga Elmazaj Construction.