Ballina Aktualitet “Do priten shumë koka”, Behgjet Pacolli i kthehet Ilir Kullës: Të kemi...

“Do priten shumë koka”, Behgjet Pacolli i kthehet Ilir Kullës: Të kemi dhënë bukë, Zoti na ruajt nga njerëz si ju

164
0

Miliarderi dhe pronari i Aeroportit të Vlorës, Behgjet Pacolli, përmes një statusi në rrjete sociale i është përgjigjur akuzave të ekspertit të sigurisë, Ilir Kulla, i cili mbrëmjen e djeshme tha se SPAK ka nisur një hetim për aeroportin në ndërtim prej tre muajsh.

Kulla u shpreh se ka shumë probleme ndërsa shtoi se kompania turke e përfshirë në aeroport ka qenë fiktive dhe se nga kjo histori do të priten shumë koka sepse dëmi është shumë i madh si në besueshmëri dhe në pjesën financiare.

Ka filluar që para 3 muajsh nga SPAK një hetim për aeroportin e Vlorës. Kur t’i futet SPAK zyrtarëve të nivelit të dytë e tretë dhe gjërave që kanë firmosur do të kenë probleme. Transferimet mes aksionerëve, nuk janë regjistruar në QKB. Janë letra private dhe nëpër noterë. Këta kanë detyrim, në bazë të kontratës së koncesionit me partnerin që është shteti shqiptar që është përfaqësuar nga qeveria. Se kush ka hedhur firmën do i zbardhë hetimet.

Pacolli thotë do të shkoj dhe në arbitrazh. Për të operuar një aeroport, përveç pistës, ndërtesës ke nevojë për Drejtorinë e Aviacionit Civil dhe Agjencinë Nacionale të Trafikut Ajror që varen nga MIE. Nëse ata nuk japin autorizim, aeroporti nuk do të funksionojë kurrë. Nga kjo histori do të priten shumë koka sepse dëmi edhe në imazh, edhe në besueshmëri por edhe në financë është shumë i madh”, ka thënë Kulla.

Mesa duket këto deklarata akuzuese kanë “nervozuar” Pacollin i cili i thotë Ilir Kullës se po përbuz konakun ku është ulur, duke nënkuptuar që kanë patur një marrëdhënie të afërt më herët. Behgjet Pacolli thekson në statusin e tij ka ngrënë bukë në shtëpinë e tij dhe gjithmonë së bashku me vëllezërit e kanë trajtuar si një njeri dinjitoz.

Me tone ironie, Behgjet Pacolli i drejtohet Ilir Kullës në rrjete sociale se mikpritja paska kujtime më të shkurtra se darka vetë ndërsa lutet që zoti ta ruaj nga njerëz si ai.

Zotni Kulla,Mbrëmë, nga sa dëgjova, nuk paske lënë gjë pa thënë për mua. A të ka shkuar ndërmend, vallë, se ndoshta po e përbuz atë konak ku je ulur, e atë bukë që ke ngrënë (jo një herë të vetme)? Të kemi pritur dhe trajtuar gjithmonë, unë, vëllezërit e mi dhe stafi,  si një njeri dinjitoz. Duket se, ndonjëherë, mikpritja paska kujtime më të shkurtra se darka vetë. Zoti na ruajt nga njerzit si ju!